Sezon rekord/ 16 futbollistë shqiptarë në fazën e grupeve të tre kompeticioneve europiane

Nga Champions League, tek Europa dhe Congerence League, këtë sezon kemi të bëjmë me një numër rekord lojtarësh shqiptarë që do të marrin pjesë në tri kompeticionet e UEFA-s. Plot 16 futbollistë do të angazhohen me klubet e tyre gjatë mesjavës, teksa kjo shifër nuk është arritur asnjëherë më parë.

Në kompeticionin më të rëndësishëm, si Liga e Kampioneve, marrin pjesë Kristjan Asllani me Interin, Elseid Hysaj me Lacion dhe Arbnor Muja me Antverpin.

Gjatë ndeshjeve të para, Muja luajti titullar kundër Barcelonës, edhe pse i gjithë takimi foli për spanjollët.

Ndërsa Hysaj e ndoqi nga stoli barazimin e Lacios brenda në shtëpi ndaj Atletikos.

Po ashtu edhe Asllani u aktivizua me zikaltrit në transfertën e Sociedadit.

Sot është radha e Ligës së Europës, teksa do të luhen ndeshjet e para të fazës së grupeve, aty ku janë pesë futbollistë shqiptarë që do të luajnë.

Berat Gjimshiti si pjesë e Atalantës, teksa mbrojtësi do të sfidojë polakët e Rakov.

Qazim Laçi është një tjetër kuqezi, i cili do të ndihmojë Spartën e Pragës në Grupin C, ku do të garojë me Betisin, qipriotët e Aris dhe Rejnxhërsin.

Redon Xhixha është një tjetër emër, ku me Karabakun e tij arriti të futej në grupet e Ligës së Europës dhe sot do të përballet me Molden.

Po ashtu edhe Marash Kumbulla bën pjesë në këtë kompeticion me Romën, edhe pse mbrojtësi është i dëmtuar dhe kthehet në muajin dhjetor.

Ndërkaq, Enis Çokaj, mesfushori i Kombëtares, i cili është ftuar nga Edi Reja për herë të fundit, do të luajë me Panathinaikosin në Europë.

Në kompeticionin e tretë të organizuar nga UEFA, Conference League, do të luajnë: Ernest Muçi, Jurgen Çelhaka si pjesë e Legias së Varshavës, Redi Kasa, ish-anësori i Egnatias u transferua tek O.Ljubljana dhe dje e ndoqi nga stoli humbjen me francezët e Lilës.

Po ashtu, në Ligën e Konferencës do të luajnë edhe pesë shqiptarët e Ballkanit: Enea Koliçi, Lorenc Trashi, Nazmi Gripshi, Bernard Karrica dhe Marsel Ismajlgeci.