Mitsotakis: Greqia për shkak të përmbytjeve dhe zjarreve në gjendje lufte në kohë paqeje

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis prezantoi masat strukturore dhe financiare që qeveria do të marrë për të forcuar rritjen ekonomike dhe për të ndihmuar njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Kyriakos Mitsotakis, në fjalimin e tij vjetor të mbajtur në Selanik, pas stuhisë së paprecedentë “Daniel” ku humbën jetën 17 persona, si dhe zjarreve të mëdha të mëparshme, theksoi se tashmë është krijuar një fond i posaçëm për fatkeqësitë natyrore, në të cilin sasia do të dyfishohet nga viti 2024, në 600 milionë euro.

Ai vlerësoi se Greqia, e goditur nga zjarret dhe përmbytjet më të rënda në historinë e saj gjatë verës, po përballet me luftë në kohë paqeje për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Jemi në një lloj lufte në kushte paqeje”, tha kreu i qeverisë greke, duke paralajmëruar forcimin e rolit të ushtrisë në luftën kundër pasojave të fatkeqësive natyrore.

Turizmi është shtytësi i ekonomisë greke, e cila kapërceu krizën e borxhit në vitin 2018.

Pas zjarreve shkatërruese në korrik dhe më pas në fund të gushtit që shkatërruan më shumë se 150,000 hektarë, Greqia u godit nga përmbytjet javën e kaluar që lanë 17 të vdekur në qendër të vendit, në Thesali, një rajon i rëndësishëm bujqësor, sipas burimeve policore.

Mitsotakis përballet me kritika të ashpra nga opozita dhe pjesë të popullsisë të prekur nga fatkeqësitë e motit për ngadalësinë e shpërndarjes së ndihmave dhe mungesën e koordinimit midis ushtrisë dhe shërbimeve të mbrojtjes civile.

Opozita e majtë Syriza kritikoi veçanërisht mungesën e punës për parandalimin e përmbytjeve në Thesali, tashmë të prekur nga fatkeqësitë e motit të vitit 2020.