Arrestohet në Dubai Amant Josifi, ortaku i Olsi Ramës dhe ish-këshilltari i Olta Xhaçkës

Arrestohet në Dubai ortaku i Olsi Ramës dhe ish-këshilltari i Xhaçkës, Amant Josifi.

Kujtojmë se më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar.

Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Por edhe pse kishte një urdhër-arresti nga autoritetet spanjolle, Amant Josifi arriti të largohej nga vendi.

Josifi ka qenë partner biznesi i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit shqiptar.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, denoncoi se Josifi u lejua të arratisej drejt Dubait për shkak të lidhjeve të tij me Olsi dhe Edi Ramën.

Emri i Josifit doli në dritë pas një shkrimi të publikuar në median spanjolle “El Pais”, që e konsideronte Josifin ‘kokën’ e mashtimeve në bursa si dhe garancinë e paprekshmërisë për Milton Group'. Deri në vitin 2017, Amant Josifi rezulton aksioner në kompanisë “Pegasus Communication” bashkë me vëllain e vogël të kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën.

Operacioni i madh ndërkombëtar i emërtuar “FRIDA-REFOX” u zhvillua në datat 8 dhe 9 nëntor 2022 në vendin tone dhe zbuloi se pre e skemës së mashtrimit kanë rënë 200,000 viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.