Paralajmërimi/ Fenomenet ekstreme të motit, valët e të nxehtit do të bëhen edhe më përvëluese

Fenomenet ekstreme të motit që po shikojmë këto ditë të para të shtatorit konfirmojnë edhe njëherë se ngrohja globale po intensifikohet. Paralajmërimi vjen nga ekspertët e klimës, të cilët duke marrë shkas nga studimi i bërë së fundmi nga agjencia e BE-së “Copernicus”, që arrinte në përfundimin se gushti ishte muaji më i nxehtë në histori, thonë se valët e të nxehtit pritet të jenë gjithnjë e më përvëluese nga viti në vit.

“Vapa e madhe që pamë gjatë valëve të të nxehtit të këtij viti, e po ashtu edhe reshjet e dendura të shkaktuara nga stuhitë që pasuan vapën, tashmë janë të pashmangshme. Se çfarë mund të presim vitin e ardhshëm, vështirë të parashikohet, por e qartë është se fenomenet ekstreme do të shpeshtohen.”

Për shkencëtarët e klimës, njerëzimi ka ende në dorë të frenojë, këto ndryshime të motit që po sjellin pasoja katastrofike me shumë viktima. Ata bëjnë thirrje që të ndalet sa nuk është vonë, përdorimi i karburanteve fosile që shkaktojnë efektin serë. Agjencia “Copernicus” e Bashkimit Europian për ndryshimet klimatike tha se vera e këtij viti ishte më e nxehta në histori, çka bëri që temperatura mesatare globale u rritën me 0.66 gradë, duke shkuar në 16.8 gradë Celsius.