Totozani, presion Milena Haritos: Merr masat, administrata jo në fushatë

Avokati i Popullit Igli Totozani i ka dërguar një rekomandim ministres Milena Harito si dhe gjithë kryebashkiakëve të vendit që të marrin masat për të mos lejuar përfshirjen e administraës publike në fushatë elektorale gjatë orarit zyrtar.

Totozani ka kërkuar që në rast se do të konstatohen raste konkrete, të merren masa disiplinore në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës apo Nepunësit Civil.

Në rekomandimin e Avokatit të Popullit thuhet se:  

Reformimi i Administratës Publike vijon të mbetet një prej prioriteteve jo vetëm për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe Europiane, por edhe të punës së institucionit të Avokatit të Popullit dhe sikundër është cituar edhe në Progres-Raportin e muajit Nëntor 2016 nga Komisioni Europian, Shqipëria, është mesatarisht e përgatitur në drejtim të reformës në administratën publike.

Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individëve, ka nisur me inisiativë dhe do të ndërmarrë në vijim një monitorim për punonjësit e Administratës Publike (qendrore dhe vendore) mbi përfshirjen ose jo të këtyre nëpunësve në fushatë zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës.

Gjithashtu, ligji i ri për shërbimin civil me nr. 152/2013, miratuar në vitin 2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, në nenin 37 të tij përcakton të drejtat politike.

Pra, sikundër është përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligjin për nëpunësin civil, parimi bazë për këta nëpunës nuk është ndërmarrja e veprimtarive që mund të vërë në pikëpyetje pa-anësinë e tyre politike ose që mund të shkaktojë kritika që këta nëpunës janë duke u përdorur për qëllime politike partiake.