Bayern mposht 'tersin', fitorja e parë pas më shumë se dy viteve ndaj Monchengladbach

 

Bayern Munich triumfon për herë të parë ndaj Borussia Monchengladbach pas gjashtë ndeshjeve në kampionat dhe në miqësore.

Bavarezët triumfuan me përmbysje në transfertën ndaj Monchengladbach me rezultatin 1-2 në “Borussia-Park”, ndërsa ndeshja e fundit kur kampionët e Gjermanisë kanë shijuar një fitore ndaj këtij kundërshtari ka qenë në “Allianz Arena” më 08.05.2021, me atë takim që u mbyll me rezultatin 6-0.

Ritmi gjatë gjithë ndeshjes u diktua nga ekipi i Tuchel, megjithatë ishin vendasit ata të cilët zhbllokuan takimin.

Në minutën e 30’ falë asistit të Ëober, Itakura gjeti golin, ndërsa me atë goditje “fshiu merimangat” në portën e Ulreich. Pavarësisht tentativave nga ana e bavarezëve për të barazuar pjesa e parë u mbyll me vetëm një gol.

Në fillim të fraksionit të dytë Bayern Munich riktheu balancat, ndërsa gjeti barazimin në minutën e 58’.

Pas pasimit nga Kimmich, Sane e ndaloi bukur topin dhe me një kthesë të shpejt gjeti rrugën drejt rrjetës.

Bavarezët tentuan edhe në disa raste të tjera për të gjetur golin e dytë dhe për të dalë me 3 pikë nga “Borussia-Park” dhe ia dolën të shënonin në minutëne 87’, me Tel që e çoi topin në portë me një goditje me kokë.

Pas javës së tretë të Bundesliga, Borussia Monchengladbach renditet në vend të 15-të me një pikë, teksa Bayern renditet në vend të dytë me nëntë pikë.

Ndërsa vlen të theksohet se fitorja e fundit që Bayern ka marrë në “Borussia-Park” ka qenë më 02.03.2019, takim i cili u mbyll me rezultatin 1-5.