Katër persona të vdekur në një apartament në Nju Jork, dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje

Dy fëmijë të vegjël ishin mes katër personave që u gjetën të vdekur në një apartament në Nju Jork të hënën, tha policia.

Të vdekurit janë përshkruar si një djalë 1-vjeçar, një djalë 3-vjeçar, një grua 40-vjeçare dhe një burrë 41-vjeçar, tha zyra e informacionit publik të departamentit të policisë.

Sipas mediave të huaja,  3-vjeçari fillimisht ishte identifikuar gabimisht si një vajzë, sepse trupi i tij ishte i mbuluar me shumë gjak, tha një burim policor për NBC News.

Burri dhe gruaja kishin pësuar trauma në qafë, ndërsa 1-vjeçari u zbulua me plagë rreth trupit, tha policia.

“Unë nuk jam i sigurt se si u pësuan ato lëndime”, ka thënë një zëdhënës i policisë të hënën. “Kjo është pjesë e një hetimi në vazhdim. Ndoshta ishte një vrasje dhe më pas vetëvrasje, por ende nuk është përcaktuar përfundimisht”.

Personeli mjekësor i urgjencës konstatoi të katër të vdekurit në vendngjarje, tha policia.

Fqinjët thanë se burri kishte punuar si mbikëqyrës i ndërtesës, e cila ndodhet pak blloqe larg Central Park.