Rama udhëzon SPAK-un që të mos prekë Beqajn: Sterilizimi është sukses

Kryeministri Edi Rama vazhdoi të dërgojë sinjale direkt ndaj SPAK, që të mos prekë Ilir Beqajn, kreun e aferës së sterilizimit.

Gjatë një vizite në një spital, Rama tha se sterilizimi ishte një sukses i qeverisë së tij.

“Spitali Universitar "Shefqet Ndroqi" - Në një nga 17 centralet e reja të krijuara falë PPP-së së sterilizimit, që kanë garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve.

Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët,” tha Rama.

Kujtojmë se SPAK e amnistoi Beqajn pas skandalit të sterilizimit.

Ndërkohë, një gjykatës ka urdhëruar që SPAK të hetojë edhe rolin e Ilir Beqajt në këtë aferë, duke e gjetur të pakuptimtë faktin se ai nuk është prekur nga drejtësia, edhe pse ka firmat në çdo aspekt të skandalit.