Një tjetër yll zgjedh Arabinë, mbrojtësi lë City-n për ekipin e Ronaldos

Një tjetër yll europian i është bashkuar Pro League-s së Arabisë Saudite.

Mbrojtësi spanjoll Aymeric Laporte ka braktisur Anglinë, ku për 5 vite mbajti veshur fanellën e kampionëve të Machester City, duke kompletuar transferimin te Al-Nassr.

Klubi saudit ka derdhur në arkat e kampionëve të Anglisë 23.5 milionë paund, duke i bashkuar 11-es së Cristiano Ronaldos një tjetër lojtar të kalibrit të lartë.

Mbrojtësi 29-vjeçar ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me skuadrën saudite, nga e cila do të përfitojë 21 milionë paund në sezon.

Ai konfirmoi të mërkurën mbrëma se po largohej pas pesë vitesh e gjysmë nga Mançesteri, duke shkruar në rrjetet sociale: “Shumë kujtime që do t’i mbaj përgjithmonë pranë zemrës”.

Laporte largohet nga Etihad pasi bëri 180 paraqitje për “Qytetarët”, me të cilët fitoi 15 trofe.