Më 13 gusht 1983, ndërroi jetë Musine Kokalari.

Më 13 gusht 1983, ndërroi jetë Musine Kokalari.

Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare. Në vitin 1939, ende në auditor, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, pas botimit të librit të saj të dytë “Rreth vatrës”, do të niste një kalvar përndjekjeje për familjen e saj. Më 12 nëntor të atij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më pas, do të arrestonin edhe Musinenë, e cila u mbajt në burg për 17 ditë. Pas arrestimit të janarit 1946, u dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. Në vitin 1981 u sëmur rëndë dhe pas dy vjetësh ndërroi jetë. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Në shkurt të vitit 2022, DPA-ja mori në dorëzim nga familja Kokalari një material dokumentar prej 3112 fletësh të shkrimtares, të etnografes dhe të veprimtares politike. Ky korpus i veprës së Kokalarit iu bashkëngjit fondit personal të saj, të përbërë nga 100 dosje, që datojnë në intervalin e vjetëve 1921-1983, duke mbuluar në mënyrë të konsiderueshme jetëshkrimin e saj. Në AQSH strehohen dorëshkrime të shumta të Musinesë, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë” (deklaratë e bërë prej familjares së saj, Bibika Kokalari).

Bashkëlidhur, një certifikatë nënshtetësie në emër të Musine Kokalarit, lëshuar nga zyra e gjendjes civile pranë Gjykatës së Shkallës së I-rë Gjirokastër. Po ashtu, letër e Musinesë dërguar Sotir Kolesë për një libër të sajin, që pasqyron jetën e njerëzve në qytetin e Gjrokastrës.