Artur Metani, 'shkopi nën rrota i drejtësisë së re'!
Ditët e fundit opinioni publik është njohur me akuzat që kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka bërë në drejtim të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.
Berisha ka kërkuar dorëheqjen e Metanit duke renditur faktet që sipas tij e bëjnë përgjegjës dhe e implikojnë Metanin drejtpërdrejt në aferën e inceneratorit të Tiranës.
Përtej debatit politik, më poshtë do të sjellim në vëmendjen e publikut disa fakte rreth asaj që e bëjnë Artur Metanin, Inspektor i Lartë i Drejtësisë, të meritojë një tjetër titull veç atij që mban, atë të: "shkopi nën rrota i drejtësisë së re". Metani, duke qenë në krye të njërës prej hallkave më të rëndësishme të drejtësisë së re ka shërbyer në disa raste, të cilat do t'i lexoni më poshtë, si shkop nën rrota për drejtësinë. Duke vonuar hetime, duke mbajtur peng shqyrtimin e ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe duke i 'varrosur' çështje shumë të rëndësishme në "parashkrim".
Është fakt që Metani në kohën kur ka qenë në detyrën e Drejtorit të Departamentit Juridik të Këshillit të Ministrave, është përfshirë personalisht në procedurat antiligjore të miratimit të aferës së inceneratorëve.
Metani është autor i shpalljes së emergjencës medisore, gjë e cila i hapi rrugë aferës së shekullit, vjedhjes së shqiptarëve napërmjet inceneratorëve fantazmë.
Çfarë ka ndodhur?
Pasi merr pjesë direkt në aferën e inceneratorëve duke i shtruar rrugën projektit më të madh korruptiv të ndodhur në Republikën e Shqipërisë në 32 vite pluralizëm, Artur Metani katapultohet në një nga detyrat më të larta të drejtësisë së re, ai emërohet në krye të ekzekutivit të drejtësisë.
Për ta kuptuar më thjeshtë lexuesi;
Artur Metani drejton, që nga viti 2020, institucionin që heton dhe merr masa disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra është personi i vetëm që ka në dorë shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe largimin e tyre nga sistemi në raste shkeljesh të ligjit.
Po si vërtetohen akuzat e Berishës se Artur Metani po i shërben ekzekutivit edhe sot, njëlloj siç i ka shërbyer kur ishte pjesë e tij dhe vartës direk i kryeministrit Rama?
Për këtë na vjen në ndihmë një puntatë e emisionit “Piranja” transmetuar në Syri.TV.
Emisioni ‘Piranja” ka bërë një investigim në lidhje me ankesat që i janë bërë ILD për gjyqtarë e prokurorë dhe shqyrtimin që ky institucion u ka bërë këtyre ankesave.
Ajo që bie në sy është se ILD nuk i është përmbajtur ligjit për ankesat në disa raste tepër domethënëse.
Për të gjitha këto raste, institucioni i drejtuar nga Metani ka zvarritur hetimin ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë patur në duar çështje të “nxehta”.
Hetimi është zvarritur ndaj prokurorit të Tiranës Arenc Çela, gjë që të bën të mendosh së zvarritja e hetimit përveç shumë çështjeve të rëndësishme, mund të përkojë edhe me inceneratorin e Tiranës, që është një nga pasojat e zvarritjes.
Ky rast ngre dyshime se ILD e ka mbajtur nën presion këtë prokurori për të mos avancuar me zbardhjen e mega-vjedhjes.
Të njëjtin fat me ankesën për Arenc Çelën ka edhe ankesa për prokurorin Valdimir Mara, “në shqyrtim”. Mara është pjesë e trupës së prokurorisë që ka në dorë dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Si ka mundësi që ankesa që janë bërë shumë më vonë se këto kanë marrë përgjigje në kohë dhe brend afateve nga ILD-ja dhe këto dyja janë ende me statusin “në shqyrtim”?!
Nëse nuk do të ishte edhe rasti i Gjyqtarit Astrit Kalaja, ankesën ndaj të cilit ILD-ja ë mban peng prej tre vitesh, alibitë e kreut të ILD-së mund edhe të mergullonin një pjesë të opinionit publik. Por fakti që edhe ky gjyqtar është mbajtur ‘peng’ dhe nën presionin e një vendimi, tregon qartë se akuzat ndaj Artur Metanit nuk janë të pa baza, apo thjeshtë dhe vetëm akuza politike.
Astrit Kalaja është pjesë e trupës gjyqsore që grabiti vulën e PD-së për t’ia lënë në dorë Lulzim Bashës.
Më poshtë po rendisim disa fakte të nxjerra nga investigimi i “Piranja-ve” për dosjet që mban peng institucioni i drejtuar nga Artur Metani:
Esmeralda Keshi anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është dërguar për inspektim disiplikor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe materiali i çështjes disiplinore është regjistruar tek ILD me nr 52 prot datë 07.02.2020.
Çeshtja objekt i inspektimit disiplinor është çështja që i përket proçedimit penal me nr …. Pushuar me datë 16.06.2016. Konkretisht është dosja penale “Vendim për pushimin e procedimit penal”, datë 16.6.2016, për procedimin penal nr. ***, për veprën penale “fshehje e të ardhurave” dhe “shkatërrim prone”, parashikuar nga nenet 150 dhe 180 të Kodit Penal, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.
Në vendimin e dërgimit për inspektim disiplinor tek ILD Komisioni ka konstatuar se: “ konstatohen mangësi profesionale në moskryerjen e hetimeve të thelluara dhe shteruese si dhe në cilësimin korrekt të bazës ligjore në vendimin e pushimit. Kjo çështje duhet të transferohet në bazë të pikës 4, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, pranë organit kompetent për inspektim për të verifikuar nëse evidentohen shkaqe që përbëjnë shkelje disiplinore, sipas ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ose nëse ka shkaqe për t’u marrë parasysh gjatë vlerësimit periodik të subjektit të rivlerësimit”.
Në bazë të ligjit 96/2016” për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i ndryshuar, neni 117 është sanksionuar:
“Shkeljet disiplinore parashkruhen brenda pesë vjetëve. Nëse një ankesë, sipas nenit 119, të këtij ligji, paraqitet pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk verifikon ankesën për shkak të parashkrimit. Nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr të dhëna, sipas nenit 124, të këtij ligji, pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, ai nuk fillon hetimin për shkak të parashkrimit.
2. Afati i parashkrimit fillon nga momenti kur shkelja e pretenduar është kryer… “.
Me datë 21.07.2022 me nr prot Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendimin përkatës për arkivimin e ankesës.
Siç rezulton nga objekti i ankimit të KPK – së, shkelja disiplinore e referuar nga KPK – ja tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë është kryer me datë 16.06.2016 , dhe nga kjo datë fillon afati 5 vjeçar i parashkrimit të shkeljes disipinore. Siç rezulton Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani me dashje të paramenduar ka lejuar që nga data 10.02.2020 deri me datë 21.07.2022 me mosveprimin e tij në kundërshtim me ushtrimin e rregullt të detyrës të parashkruhej shkelja disiplinore. Pra rezulton se me mosveprimin e tij nga data 10.02.2020 ditë që ka ardhur në dijeni efektivisht ILD -ja për shkeljen disiplinore dhe deri me datë 16.06.2021, që është plotësuar afati i parashkrimit nga ana e Z.Artur Metani nuk është kryer asnjë veprim në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore të përcaktuara nga ligji 96/ 2016 dhe 115/2016 për verifikimin e ankesës, hetimin disiplinor dhe eventualisht dhe fillimin e proçedimit disiplinor.
Si pasojë e kësaj sjellje vazhduese të paligjshme nga ana e z.Artur Metani ka ardhur pasoja e parikupurueshme ajo e pamundësisë së hetimit, proçedimit disiplinor dhe eventualisht edhe ndëshkimit disiplinor.
Për pasojë me vendimin e datës 21.07.2022 ILD ja ka vendosur arkivimin e ankesës pikërisht për arsye të parashkrimit.
Për të provuar faktin se sjellja e paligjshme e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është kryer me dashje të paaramenduar shërben fakti se për magjistraten Miranda Andoni ILD – ja ka regjistruar ankimin me date 29.07.2020 me nr 1836 prot dhe me datë 21.09.2020 pra brenda afatit 2 mujor nga venia dijeni për shkeljen disiplinore ka ushtruar detyrën duke marrë vendimin përkatës.
Çështja e referuar nga KPK – ja kundër magjistrates Miranda Andoni i përket vendimit gjyqësor të dhënë në Gjykatën e Apelit me datë 12.05.2015.
Pra rezulton se me datë 29.07.2020 datë në të cilën është vënë në dijeni Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ishte plotësuar afati i parashkrimit. Për këtë arsye me vendimin e datës 21.09.2020, brenda afatit 3 mujor të lejuar nga ligji 96/2016 ka vendosur arkivimin e ankesës për arsye parashkrimi.
Pra, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ushtron detyrën në përputhje me ligjin për magjistratët që i është plotësuar afati i parashkrimit të shkeljes disiplinore dhe nuk ushtron detyrën për ankimet e derguara të cilat janë brenda afatit të parashkrimit. Pasi plotësohet afati i parashkrimit atëherë Inspektori i Lartë i Drejtësisë merr vendimin favorizues duke i sjellë përfitime të paligjshme magjistrateve dhe duke manifestuar sjellje diskredituese duke dëmtuar rëndë reformën në drejtësi.
Po kështu për magjistratin Asim Vokshi është regjistruar me datë 01 06.2020 me nr 810 prot ankimi i KPK – së tek ILD – ja dhe me vendimin e datës 19.06.2020 Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kryer detyrën duke marrë vendimin përkatës të arkivimit të ankesës. Çështja për të cilën është referuar magjistrati Asim Vokshi për shkelje disiplinore është e datës 21 02.2011.
Edhe në këtë rast provohet se Z.Artur Metani ka vullnetin dhe kohën për të arkivuar ankesën kur shkelja është parashkruar, ndërsa për ankesat kundër magjistratëve si Esmeralda Keshi, Kosta Beluri, duke mos kryer asnjë veprim për vendimin për verifikimin e ankeses për fillimin e hetimit disiplinor, ka sjellë si pasojë që shkeljet disiplinore të parashkruheshin.
Në këtë mënyrë Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka devijuar një organ të lartë të qeversijes së drejtësisë duke e shndërruar dukshëm në një institucion pandëshkueshmërie, dhe dhënie favoresh dhe perfitimesh të paligjsme, e për rrjedhojë në një organ të padenjë për magjistratët e kallzuar për shkelje disiplinore.
Pra rezulton se brenda afatit një mujor në përputhje me ligjin në rastin edhe të këtij magjistrati , edhe pse është regjistruar më vonë se sa ankimi ndaj magjistrates znj.Esmeralda Keshi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani ka ushtruar detyrën.
Në të njëjtat rrethana edhe për magjistraten Afërdita Ndoi, ILD ka regjistruar ankimin e paraqitur nga KPK – ja me datë 11.01.2021 me nr 39 prot dhe me datë 19.04.2021 është bërë vendimmarrja përfundimtare nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Çështja për të cilën është referuar magjistratia Afërdita Ndoi për shkelje disiplinore ështe e proçedimit penal 4795 e vitit 2013.
Pra rezulton se edhe pse ka marrë dijeni një vit më pas se sa kishte marrë dijeni për shkeljet disiplinore të zj Keshi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zgjedhur të veprojë për rastin e zj.Afërdita Ndoi dhe të mos veprojë duke e favorizuar në shkelje të rëndë të ligjit anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Esmeralda Keshi.
Të njëjtin veprim e ka bërë edhe ILD, z.Artur Metani për rastin e magjistratit Ilir Perdeda për të cilin ka marrë dijeni me datë 26.05.2021 dhe me date 9.01.2022 ka vendosur arkivimin e ankesës.
Siç rezulton nga të dhënat e publikuara online nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit çështjet për të cilat ishte dërguar për inspektim disiplinor të z.Perdeda i përksinin vendimeve të datave 18.02.2016 dhe 21.04.2016.
Pra siç rezulton qartësisht Inspektori i Lartë i Drejtësisë është efikas dhe në krye të detyrës duke marrë vendimin për arkivimin e ankesës pasi ishte plotesuar afati i parashkrimit 5 vjeçar të shkeljeve disiplinore të kryera nga magjistrati Ilir Perdeda.
Pra për magjistratët që u janë parashkruar afatet e parashkrimit të shkeljeve disiplinore Inspektori i Lartë i Drejtësisë e gjen kohën dhe ushtron të gjithë potencialin ligjor duke ushtruar detyrën në përputhje me ligjin.
Të njëjtën praktikë z.Metani ka ndjekur duke mos vepruar me dashje për anëtaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor e cila është kallzuar në ILD që në datën 07.02.2020 për kryerje veprimesh që përbëjnë shkelje disiplinore që i përkasin një çështjeje të vitit 2017. Sipas shkresës së datës 02.94 2023 ankesa kundër znj.Kadi është në shyrtim dhe vlerësim.
Pra dukshëm Z Metani nuk ka ushtruar detyrën duke favorizuar në kundërshtim me ligjin znj. Brunilda Kadi, pasi me mosveprimin e tij me dashje në kundërshtim me ligjin 96/2016 ka lejuar parashkrimin e shkeljes disiolinore.
Me të njejtën shkelje të rëndë të ligjit ka vepruar edhe ndaj ankesës së paraqitur nga KPK –ja kundër magjistrates Alkelina Gazidede ku si pasojë e mosveprimit të tij për një periudhe kohore 1 vjeçare ka krijuar favore të paligjshme për magjistraten pasi ka vendosur arkivimin e ankesës duke lejuar parashkrimin e shkeljes disiplinore .
Ndërsa për magjistratët sikurse Esmeralda Keshi, Kosta Beluri, Astrit Kalaja, Brunilda Kadi, Arens Çela, Julian Çafka, Kreshnik Ajazi, Vladimir Mara, Alma Muça, Emona Muçi ai nuk ka kohë, nuk ka mundësi, nuk ka potencial dhe për rrjedhojë nuk kryen detyrën ligjore deri sa të plotësohet afati i parashkrimit.
Pra që nga data 10.02.2020 deri me datë 16.06.2021 që është data e parashkrimit Inspektori i Lartë i Drejtësisë me dashje të paramenduar nuk ka ushtruar detyrën, dhe më pas me datë 21.07.2022 ka vendosur arkivimin e ankesës si pasojë e parashkrimit të shkeljes disiplinore.
Pra provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka bërë trajtime preferenciale, në kundërshtim me dispozitat urdhëruese ligjore dhe duke i krijuar favore të paligjshme magjistratëve të sipërcituar.