‘Je në klubin ideal Musah, shijoji tifozët e çmendur të Milanit!’

Yunus Musah është goditja e radhës e Milanit në merkato. Kuqezinjtë arritën marrëveshjen me Valencian për 20 milionë euro + bonuse dhe zyrtarizuan 20-vjeçarin amerikan si “Djall”.

Një përforcim i rëndësishëm për trajnerin Stefano Pioli në mesfushë.

Edhe pse ende i ri, Musah ishte pjesë e Valencias në tri sezonet e fundit, teksa numëron edhe 24 ndeshje me kombëtaren e SHBA-së.

Në lidhje me transferimin e tij te Milani ka reaguar Samu Castillejo, i cili luajti me Musah te Valencia, ndërkohë që ishte pjesë e klubit historik italian për katër sezone radhazi.

“Vëlla, të uroj shumë fat. Je në klubin më të mirë për të vijuar procesin tënd të rritjes. Shijoji ata tifozë të çmendur dhe atë pasion me të cilin ndihen ngjyrat kuqezi”, uron spanjolli.

Musah është afrimi i tetë për Milanin, pas Sportiellos, Loftus-Cheek, Pulisic, Romero, Reijnders, Okafor dhe Chukwueze.