Kriza më e keqe humanitare në Nju Jork! Emigrantë të shtrirë në rrugë, pamje nga kaosi

Qindra azilkërkues po flenë jashtë hotelit Roosevelt të Manhatanit në Nju Jork për të dytën ditë radhazi.

Siç raportojnë mediat lokale, qyteti i Nju Jorkut vazhdon të luftojë për të përballuar fluksin e azilkërkuesve dhe strehimi duket të jetë vetëm një nga shumë problemet. Autoritet e përshkruajnë si “kriza më e keqe humanitare që Nju Jorku ka parë ndonjëherë”.

Shërbimet në Roosevelt janë të përqendruara në vendosjen e fëmijëve dhe familjeve në dhoma, ndërsa shumë prej emigrantëve janë futur në autobusë dhe dërgohen në strehimoret në pjesën e sipërme të shtetit.

Një pronar biznesi në zonën pranë hotelit tha se situata ishte e papranueshme.

“Kjo është zemra e Nju Jorkut. JP Morgan është këtu. Nuk ka kuptim”, tha Dimitris Nakos, pronar i restorantit grek Ammos.

Ndërkohë, autoritetet e Nju Jorkut i kanë bërë thirrje presidentit Joe Biden për të ndihmuar duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe duke përshpejtuar autorizimin e punës për azilkërkuesit, shumë prej të cilëve janë të dëshpëruar për të punuar, por ligjërisht nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë.