Donaruma rikthehet në Itali? Juventusi gati të nisë bisedimet me portierin

Xhanluixhi Donarumma te Juventusi është një frazë tërheqëse që rikthehet dhe rikthehet periodikisht, dhe kjo verë nuk bën asnjë ndryshim.

Nëse “afrimi” i parë i portierit të kombëtares italiane te bardhezinjtë daton para kalimit te Paris SG-ja, në vitin 2021, e fundit është pikërisht këto ditë dhe është frymëzuar nga shitja e mundshme e Vojçek Sheznit te Bajerni i Mynihut.

Skenari në letër është shumë i thjeshtë, ikën Shezni dhe te Juventusi mbërrin Donaruma.

Por nëse në letër një marrëveshje e tillë bëhet me një të rënë të lapsit, në praktikë nuk duket se është dhe kaq e lehtë.

Që Bajerni i Mynihut po kërkon një portier, duke pasur parasysh pasigurinë e gjendjes fizike të Noierit dhe me Zomerin të destinuar për tek Interi kjo nuk është sekret. Por polaku i portës së Juventusit nuk duket se qëndron në “pole position” për bavarezët. Bajerni ka piketuar spanjollin e Brentfordit David Raja si portierin e ardhshëm.

Negociatat duket se janë adresuar mirë, por janë ende larg përfundimit, mbi të gjitha, sepse Bajerni tani është i fokusuar te Herri Kejn.

Pra, për Shezni-Bajern ka dy pengesa: koha, e cila premton të jetë e gjatë, dhe mbi të gjitha konkurrenca nga Raja.

Edhe nëse kjo situatë do të zhbllokohej, trokitja në derën e PSG-së për Donarumën nuk do të ishte e lehtë. Ndoshta vetëm një dëshirë e fortë e Donarumës për t’u kthyer në Itali, veçanërisht pas grabitjes së pësuar në Paris, mund t’i hapë një dritare Juventusit.