Valë sulmesh me dronë kundër Rusisë, dëmtohen dy godina në Moskë, mbyllet përkohësisht aeroporti

Rusia akuzoi Ukrainën për një sulm me dronë në Moskë, që dëmtoi dy godina dhe mbylli përkohësisht një prej aeroporteve në qytet. Sipas ministrisë së mbrojtjes, një dron u qëllua mbi zonën e Odintsovo në perëndim të qendrës së Moskës, ndërsa dy të tjerë ranë mbi një ndërtesë më zyra pas neutralizimit, duke dëmtuar fasadën. Agjencia e lajmeve TASS tha se një person kishte mbetur i plagosur në ngjarje. Foto dhe pamje nga vendi i ngjarjes treguan xhama të thyer dhe mbetje të shpërndara në rrugë.

Një dëshmitare, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se kishte parë zjarr dhe tym.

 ‘Miqtë e mi dhe unë morëm me qira një apartament dhe erdhëm këtu për të kaluar kohë bashkë. Një moment, dëgjova një shpërthim ..ishte si një dallgë e fuqishme dhe të gjithë kërcyem. Më pas zona u mbulua me tym dhe nuk mund të shihje asgjë. Nga lart dallohej zjarr’, tregon dëshmitarja.

Fluturimet u pezulluan përkohësisht nga aeroporti i Vnukovo, në jug-perëndim të qendrës së qytetit, dhe avionët që duhet të uleshin atje u ridrejtuan në aeroporte të tjera. Në një deklaratë, ministria e mbrojtjes tha se kishte parandaluar një përpjekje për sulm terrorist.

Sulmi me dron në orët e para të së dielës është i fundit mes atyre që Moska i ka atribuuar Kievit gjatë javëve të fundit. Mirëpo, Ukraina rrallë merr përgjegjësinë për akte të tilla në brendësi të territorit rus. Ministria e mbrojtjes në Rusi akuzoi gjithashtu forcat e Kievit për një sulm me dronë edhe ndaj territorit të Krimesë, e aneksuar që prej 2014-s. Sipas zyrtarëve, 16 dronë ishin shkatërruar dhe 9 të tjerë ishin ndalur. Sakaq, autoritetet ukrainase raportuan një sulm me raketa në qytetin Sumit, në veri-lindje të vendit, me pasojë vdekjen e 1 personi dhe plagosjen e 5 të tjerëve. Autoritetet thanë se dy vetë ishin vrarë gjithashtu në qytetin jugor të Zaporizhias.