Futen për tu larë, por nuk ja dalin dot, dy viktima në Durrës dhe Lezhë

Dy burra, një 68-vjeçar dhe një 52-vjeçar kanë humbur jetën mbrëmjen e sotme në Durrës dhe Lezhë.

Sipas policisë lokale, në zonën e Porto Romanos, 68-vjeçar me inicialet H. D., është futur në ujë për tu larë, por ka shfaqur probleme mjekësore. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Durrësit.

Edhe në Tale të Lezhës po ashtu, një 52-vjeçar me inicialet B. Xh., nga Kamza sapo ka hyrë në ujë pa pasur probleme shëndetësore dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Policia e Durrësit/ Informacion paraprak

Rreth orës 19:20, në Porto Romano, Durrës, shtetasi H. D., 68 vjeç, banues në Durrës, sapo ka rënë në kontakt me ujin ka shfaqur probleme shëndetësore.

Familjarët dhe pushuesit e tjerë e kanë ndihmuar duke i dhënë ndihmën e parë dhe menjëherë është transportuar për në Spital por ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet arrest kardiak.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Tale, Lezhë/informacion paraprak

Në plazhin e Tales, shtetasi B. Xh., rreth 52 vjeç, banues në Kamzë Tiranë, sapo ka rënë në kontakt me ujin në anë të detit nuk është ndier mirë. Roja bregdetare dhe pushuesit e tjerë e kanë ndihmuar duke i dhënë ndihmën e parë dhe menjëherë është transportuar në Spitalin rajonal, por ka ndërruar jetë.

Paraprakisht dyshohet se 52-vjeçari ka pësuar arrest kardiak.

Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e saktë të humbjes së jetës së 52-vjeçarit.