Turistja gjermane rrëshqet në terrenin malor, policia dhe banorët e zonës i vijnë në ndihmë

Pas telefonatës në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër nga një banor i zonës, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë për një turiste gjermane që kishte rrëshqitur në terren malor në vendin e quajtur “Kodër Kunje”, njësia administrative Shosh dhe nuk lëvizte dot pasi kishte thyer këmbën dhe krahun, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë drejt këtij vendi për t’i ofruar ndihmë turistes.

Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë transportuar turisten gjermane dhe turistin tjetër që e shoqëronte nga terreni ku ndodheshin deri në Prekal, në rrugën automobilistike ku më pas turistët janë marrë nga shërbimet e ambulancës.

Pasi i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor, turistja e dëmtuar është transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, në gjendje jashtë rrezikut për jetën. Turistët gjermanë kanë falënderuar banorët e zonës, shërbimet e Policisë dhe ekipin mjekësor, për ndihmën që iu dhanë.