Zyrtare/ Rikthim në shtëpi pas 12 vitesh, Romeu firmos me Barcelonën

12 vjet pas largimit për në Londër – skuadra e Chelseat –, Oriol Romeu rikthehet te Barcelona. Ai është trashëgimtari i Sergio Busquets: mesfushori nga Ulldecona, i lindur në 1991, largohet nga Girona në mënyrë të përhershme dhe nënshkruan një kontratë deri më 30 qershor 2026 me klubin ku u rrit.

Karriera - Pasi iu bashkua ekipit të të rinjve Blaugrana në vitin 2004, Romeu kaloi nga Masia te Barcelona B. Në vitin 2011 ai u shit te Chelsea, ku nuk gjeti shumë hapësirë. Karriera e tij vazhdoi në huazim mes Valencias dhe Shtutgartit përpara se të shitej përgjithmonë te Southampton në 2015. Pas shtatë vitesh te “Shenjtorët”, ai u kthye në Katalonjë verën e kaluar për të luajtur për Girona, ndërsa së fundmi iu bashkua Barcelonës.