'Rrezikon 15 vite burg'/ Bardhi: Ahmetaj të bëhet i penduar, koka e aferës është Edi Rama

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, u shpreh në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të premteje se Arben Ahmetaj rrezikon jo më pak se 15 vite burg.

Ai i bëri thirrje Ahmetajt të bëhët bashkëpunëtor i drejtësisë. Sipas Bardhit, koka e inceneratorëve është Edi Rama.

“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Bardhi.

Deputeti demokrat kërkoi nga kryetarja e Kuvendit të jepte informacion ku ndodhet ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj. Në përgjigjen e saj, Lindita Nikolla deklaroi se nuk ka informacion ku ndodhet  deputeti dhe shtoi se prania e tij në Kuvend është një e drejtë dhe jo një detyrim.

"Personi që mundësoi daljen e tij jashtë vendit është Rama, nuk mund të arratiset me paratë e shqiptarëve në vend, të vuajë dënimin për shërbimet ndaj Ramës," tha Bardhi.

Më herët, Sali Berisha u shpreh se në mungesë të Ahmetajt në sallë, Edi Rama duhet t’u përgjigjet pyetjeve.

“Në mungesë, për shkak të arratisjes së zëvendëskryeministrit, i cili duhet të ishte në sallë për t’iu përgjigjur pyetjeve, unë propozoj që të gjitha pyetjeve do t’u përgjigjet bosi i tij, Edi Rama”, tha Sali Berisha.

Në momentin që Berisha mori fjalën, Edi Rama u largua nga salla e Kuvendit.