VIDEO/ Skandalet radhë, kryeministri avullon! - Protestë e PD në Kuvend, Rama duhet të japë llogari!

"Shqipëria është në gjendje të jashtëzakonshme, skandal pas skandali, gjendje dhune, korrupsion pas korrupsioni dhe kryeministri avullohet! Avullohet dhe nuk vjen në këtë parlament të japë llogari, - e ngriti zërin deputeti Tritan Shehu sot në Kuvend. -  Kjo nuk ndodh në asnjë parlament të botës. Kryeministri duhet të ishte atje dhe të shpjegohej me deputetët dhe të fliste me ata dhe jo të avullojë, të zhduket, e të komunikojë vendimet e mëdha strategjike nga Mali i Zi e t’i shmanget. E paimagjinueshme kjo. Ndaj ky parlament kërkon që të fillojet me këtë gjë: me kryeministrin atje, me debat dhe një mocion për këtë situatë kaq të rëndë që po kalon e gjithë Shqipëria!"

Pas këtyre fjalëve, deputetët e PD-së janë ngritur në këmbë në Kuvend në mesditë duke kërkuar me ngulm praninë e kryeministrit Edi Rama për të gjitha skandalet e fundit, ndërkohë që zëri i kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla vazhdonte në mikron të njoftonte dhënien e mandatit të ish-deputetit Rrahman Rrahja, një deputeti të ri të PS, Arkend Ballës.

Ndërsa Nikolla vazhdonte të thërriste deputetin për të bërë betimin, deputetët e opozitës rrethuan foltoren dhe godisnin me forcë tryezat e tyre, për të kundërshtuar indiferencën e qëllimshme që po tregohej ndaj kërkesave të tyre. 

Deputeti demokrat Korreshi e konsideroi të turpshme sjelljen e Nikollës, që u caktonte radhën e fjalës së deputetëve. Ai kërkoi Kryeministrin në sallë: “Shokun Edi Rama, se na mori malli njëherë ta shohim.

“Ta përqafojmë” njëherë naltmadhninë, të marrë defin e t’i bashkohet kabasë atje në Myzeqe se na mbytën plehrat nga ata inceneratorët që nuk ndizen dhe ata që dhanë lekë, arratisen.” 

Protesta e sotme e opozitës është e disata e kësaj natyre, pasi rregullisht kreu i Qeverisë, Edi Rama, refuzon t'u përgjigjet deputetëve dhe e shmang ardhjen në seancë sa herë ngrihen probleme të mëdha./ar.sh/SYRI.NET