Berisha: Europol ka sjellë të dhëna në prokurori për Taulant Ballën. SPAK e ka thirrur disa herë

Kryetari demokrat, Sali Berisha, zbuloi të tjera detaje për Taulant Ballën, të cilin Edi Rama e ka emëruar si ministër të Brenshëm.

“Emërimi i Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Rendit është de facto emërim i krimit në krye të asaj ministrie.

Taulant Balla, me dokumente zyrtare, rezulton i lidhur ngushtësisht me bandat e Elbasanit, Librazhdit, Cërrikut, Lushnjes dhe bandën Rraja, klanin Rraja. Mundet për të tjera, por për këto ka dokumenta.

Taulant Balla është nën hetim, që ta dini ju. Është thirrur të paktën tre herë në SKAP-in e partisë për lidhjet e tij me Xhaferrin, ndikimin e tij në tendera për kompaninë e tij që e ka në emër të të shoqes dhe për probleme të tjera.

Burime serioze thonë se Europol ka sjellë të dhëna në prokurori fiks për Taulant Ballën.

Kjo e thirrjes së tij në SPAK është 100 përqind e vërtetë. Jo një, por disa herë. Paçka se kur dilte, thoshte se më kanë thirrur për Saliun, por atë e kishin thirrur për lidhjet e tij me krimin.

Kurse kjo e dorëzimit të dokumenteve nga Europol, të cilët e kanë evidentuar dhe regjistruar sipas këtij burimi, kjo natyrisht mbetet në diskrecionin e SPAK. Por mesa shoh unë, gjersa atë Edi Rama e emëroi, e emëroi për t’i dhënë një dopio imunitet, si deputet dhe tani si ministër i Brendshëm.

Ai mund të ushtrojë mbi prokurorët presione nga më të ndryshme, ndonëse ai është personi pas Edi Ramës që ka të kompromentuar në atë institucion më shumë se kushdo.

Emërimi i Ballës është dëshmi për sundimin e fuqinë e krimit në këtë vend dhe në këtë shtet,” tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar.