Berisha: Rama ndihmoi Ahmetajn të arratisej për azil, kërkesa e SPAK u fsheh për tre ditë nga Kuvendi

Kryetari demorkat, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me faktin që Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, gjë që u konfirmua dje nga avokatët e tij në mbledhjen e Këshillit të Mandatëve. Në një dalje për mediat, Berisha tha se Ahmetaj ka ikur për azil jashtë vendit, me urdhër të Ramës.

“Arratiset Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministri i organizatës kriminale qeveritare të Edi Ramës. Për herë të parë në historinë e vendit, super-ministri apo zëvendëskryeministri, i ‘de facto’ organizatës kriminale të drejtuar nga Rama, arratiset.

Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në parlament lejen për arrestimin e tij. Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij.

Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga parlamenti i vendit.

Dje Arben Ahmetaj tregoi se cila është shkalla e ulët morale, standardi më i ulët i anëtarëve të organizatës kriminale të Edi Ramës, zëvendësit, ministrave të tij, të cilët pasi pasurojnë veten dhe rrethin e tyre duke vjedhur paratë e taksave dhe pasuritë publike, sapo të thirren për të dhënë shpjegime, arratisen pa u hyrë ferra në këmbë.

Arratisja e Arben Ahmetajt dëshmon se për anëtarët e organizatës kriminale të Edi Ramës, përgjegjësia zëvendësohet me vjedhjen, dhe në fund të karrierës pasi kanë mbushur valixhet me paratë e vjedhura, arratisen apo dërgohen në azil për të tretur dhe gëzuar paratë e tyre," tha Berisha.