Zhduket Ahmetaj/ Arsyet pse mund të ketë ikur ish-zëvendësi i Ramës...

Zhduket Arben Ahmetaj. Njeriu që prej dy ditësh është në qendër të vëmëndjes mediatike dhe politike dhe që pritet të arrestohet nga SPAK për çështjen e inceneratorëve mund të jetë arratisur jashtë vendit. Janë disa arsyet që të bëjnë të mendosh se Ahmetaj ka zgjedhur të largohet dhe të mos bëjë burg, njësoj si ish-kolegët e tij deputetë, Koka dhe Bllako.

Së pari, duhet kuptuar se Arben Ahmetaj gjithnjë i ka kundërshtuar akuzat kundër tij. Ai nuk pranoi ta dorëzojë mandatin e deputetit, njësoj si të tjerët që i kthyen faqen tjetër prokurorëve të SPAK dhe tani po vuajnë burgosjen, ndërkohë që çështja është në gjykim.

Shembulli i parë ishte Saimir Tahiri që përfundoi në burg pasi dorëzoi mandatin e deputetit. Pas tij i erdhi radha ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe pastaj edhe ish-deputeti Alqi Bllako.

Ndryshe nga ata, Ahmetaj nuk pranoi ta dorëzojë mandatin duke zvarritur procedurat e prokurorisë që kërkon arrestimin dhe kontrollin e shtëpisë së tij.

Një tjetër shenjë që Ahmetaj mund të jetë larguar nga vendi për t’u arratisur është mungesa në përballjen me prokurorët në Këshillin e Mandateve. Nëse Ahmetaj do të pranonte mundësinë e burgosjes, minimumi duhej të ishte në seancë të përballej me prokurorët në Këshillin e Mandateve për t’u mbrojtur vetë kundër argumentave të SPAK. Por Ahmetaj ka lënë avokatët e tij ta kundërshtojnë arrestimin, duke mos qenë i pranishëm në seancë.

Gjithsesi, arratia duket si një koncension i fundit që i bëhet. Gazetari Artan Hoxha publikoi një foto që sipas tij është bërë të premten dhe tregon  Ahmetajn në Doganën e Kakavijës. Sipas Hoxhës në udhëtimin drejt Greqisë, Ahmetaj ka qenë i vetëm në makinë.

“Në momentin kur ka dalë lajmi, nuk ka qenë në territorin e Shqipërisë, mund të vijë sepse i lirë është, por aty është duke vulosur pasaportën në Kakavijë”, tha gazetari Artan Hoxha.

Në fakt, shkresa e SPAK drejtuar Kuvendit mban datën 7 korrik, pra është dërguar ditën e premte, duke i lënë disa ditë kohë Ahmetajt deri kur arrestimi i tij të votohet në Kuvend.

Arratisja e Arben Ahmetajt nuk vjen si surprizë. Para tij janë larguar nga Shqipëria edhe të ashtuquajturit “bosët e inceneratorëve”, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja. Sipas raportimeve mediatike ata jetojnë në Vjenë. Gjyqi në Shqipëri vijon dhe ata vazhdojnë të marrin para nga buxheti i shtetit.

Në Tiranë procesi për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe të arrestuarit e tjerë është drejt përfundimit. Prokuroria ka kërkuar disa dhjetëra vite burg. Në një status në rrjetet sociale, ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kishte nënvizuar një detaj interesant në gjithë këtë histori. Sipas tij, kërkesa e SPAK i ishte dërguar Kuvendit të premten, pikërisht sepse Ahmetaj ndodhej jashtë Shqipërisë.

“Beni ka kohë që thotë “unë do flas dhe do marr me vete të tjerë”. Ndaj për t’u siguruar që ai nuk flet i japin shancin të largohet në arrati. Por edhe po foli të paktën të jetë e mbyllur gjëja” shpjegon Manjani. Sipas tij arratisja e Arben Ahmetajt “me leje” ka të bëjë me shqetësimin e Ramës se mos ndoshta ish-zëvëndësi i tij në kryeministri vendos vërtet të flasë./LAPSI