Hungaria sinjalizon se është gati t'i bashkohet Turqisë për t'i hapur dyert Suedisë në NATO

"Pozicioni ynë është i qartë: qeveria mbështet pranimin e Stokholmit në Aleancën Atlantike... Përfundimi i procesit të ratifikimit tani është vetëm një çështje teknike", tha të martën ministri i jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto.

Një ditë pasi Turqia njoftoi se ishte gati të ratifikonte pranimin e Suedisë në NATO, Hungaria sinjalizoi të martën se është gjithashtu e gatshme të miratojë kërkesën e Stokholmit për anëtarësim në aleancën ushtarake, njofton Euronews.

“Qëndrimi ynë është i qartë: qeveria mbështet anëtarësimin e Stokholmit në Aleancën Atlantike... Përfundimi i procesit të ratifikimit tani është vetëm një çështje teknike”, deklaroi ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në llogarinë e tij në Facebook përpara se të nisej për në samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë.

Parlamenti i Hungarisë e përfundoi seancën e tij të jashtëzakonshme verore të premten, por mund të mblidhet sërish në ditët në vijim për të votuar.

Javën e kaluar, kryeministri nacionalist Viktor Orban, i cili është i afërt me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, shprehu "mbështetjen" e tij për aplikimin e Suedisë, duke premtuar "asnjë pengesë" në rast ndryshimi në pozicionin e Ankarasë.

Turqia ra dakord të hënën për të dërguar protokollin e pranimit të Suedisë në Parlamentin turk "sa më shpejt të jetë e mundur", një veprim i mirëpritur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në prag të samitit të Vilnius.

Qeveria hungareze e justifikoi vonesën e saj në miratimin e kërkesës së Suedisë duke denoncuar vazhdimisht politikën e "denigrimit" të Stokholmit, duke e akuzuar atë se e kritikon Budapestin se nuk ka arritur sundimin e ligjit dhe se "përdor ndikimin e vet politik" në Bruksel "për të dëmtuar interesat hungareze".

Në rastin e pranimit të Finlandës në NATO, Hungaria ishte gjithashtu e ngadaltë në dhënien e dritës jeshile, duke pritur derisa Ankaraja dha miratimin në fund të marsit.

 

 

Suedia dhe Finlanda njoftuan aplikimin e tyre për t'u anëtarësuar në NATO në maj 2022, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës./ar.sh.SYRI.NET