VIDEO-SYRI TV/ Sfidat me shëndetin mendor në Shqipëri, depresioni dhe ankthi

Problemet e shëndetit mendor në Shqipëri janë prezente tek te dyja gjinitë. Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka normat më të ulëta të përdorimit të kujdesit shëndetësor për shëndetin mendor në Rajonin Evropian, me rreth 4000 shtrime në spital në vit me një diagnozë të çrregullimeve mendore. Ndërkohë, tek mjeku i familjes rezultojnë rreth 40 mijë të regjistruar për këto çrregullime.

Nga Fjona Çela-SYRI TV

Shqipëria është një nga vendet që haset me sfida të mëdha në fushën e shëndetit mendor dhe barazisë gjinore, por ende ka shumë për t’u bërë në drejtim të politikave të shëndetit publik. Depresioni dhe ankthi janë çrregullimet më të shpeshta tek gratë, ndërsa burrat kanë tendencë të shfaqin më shumë sjellje agresive dhe anti-sociale. Eksperti i Shëndetit Publik, Alban Ylli tregon se problemet e shëndetit mendor janë të shpeshta tek të dyja gjinitë.

‘Sipas studimit Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri 2,1% e femrave dhe 4,2% e meshkujve të moshës 15-59 vjeç në totalin e popullsisë së vendit, raportuan se janë diagnostikuar me depresion nga mjeku. Depresioni i vetë-raportuar është shumë më i lartë: 69% e femrave dhe 57% e meshkujve kishin përjetuar episode depresioni për të paktën disa kohë. 17% e meshkujve raportonin se kanë përjetuar depresion shumicën e kohës ose gjatë gjithë kohës, krahasuar me femrat 13%. Të gjithë treguesit rriten me moshën’, thotë Alban Ylli.

Shqipëria ka normat më të ulëta të përdorimit të kujdesit shëndetësor për shëndetin mendor në Rajonin Evropian. Sipas të dhënave ka rreth 4,000 shtrime në spital në vit me një diagnozë të çrregullimeve mendore.

‘Gjatë 5 viteve të fundit ka ndryshime të rëndësishme, veçanërisht shkalla shumë e ulët e përdorimit ka qenë gjatë vitit pandemik 2020. Për vitin 2021 kishte rreth 3,500 shtrime në spital, një rritje e lehtë nga më pak se 3,100 gjatë vitit 2020, por ende shumë më e ulët se 4,900 dhe 4,600 shtrime të raportuara në dy vjet para pandemisë. Për disa grupe diagnozash si psikozat organike, ka 4 deri në 5 herë më shumë meshkuj sesa femra të shtruara në spital’, deklaron specialisti i Shëndetit Puvblik, Alban Ylli.

Por përkundër shifrave të shtrimeve, tek mjeku i familjes rezultojnë rreth 40 mijë të regjistruar për këto çrregullime.

‘Sipas të dhënave gjatë 2021 janë bërë gati 80,000 vizita në të gjitha qendrat komunitare të shëndetit mendor, nga të cilat 18% kanë qenë vizita në shtëpi. Një studim në shkollat e mesme në Tiranë tregon se rreth 30% e djemve dhe 45% e vajzave ndihen nën presion të moderuar deri në të lartë në jetën e tyre. % e të rinjve që kërkojnë mbështetje profesionale tek psikologu i shkollës, mësuesi apo mjeku i familjes është një pakicë e vogël. Shumica zgjedh të flasë me shokët/shoqet, vëllezërit e motrat ose prindërit. Vajzat janë më të prirura se djemtë për të kërkuar ndihmë’, thekson Ylli.

Dallimi i rëndësishëm midis depresionit të diagnostikuar dhe depresionit real të raportuar nga popullata, të paktën 5 herë më i lartë, demonstron një shkallë të ulët të përdorimit të shërbimeve shëndetësore.

Sfidat lidhen me qasjen e kufizuar të grave ndaj shërbimeve të shëndetit mendor, stigmën sociale dhe mungesën e informacionit rreth shëndetit mendor.

Burrat kanë fillime më të hershme të skizofrenisë, ndërsa gratë të depresionit bipolar. Gjatë Covid-19, prevalenca e depresionit bipolar dhe ankthit klinik, u shtua nga 8.5% dhe 11.5% në vitin 2020, në 25.2% dhe 20.5 % në vitin 2021.

Në Shqipëri ka dy herë më shumë meshkuj në krahasim me femrat që diagnostikohen me depresion nga një profesionist dhe kjo mund të zbulojë një ‘pranim’ ose ‘normalizim’ me ndjenjën e depresionit tek shumë gra, të cilat priren të mos shkojnë te mjeku për problemin. Prevalenca më e lartë tek individët më pak të arsimuar dhe të varfër (24.7%).