PSG i dha një ultimatum publik, Mbappe i dërgon përgjigje klubit përmes nënës së tij

Kylian Mbappe mori një ultimatum publik nga presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, i cili i tha se ose do të rinovojë kontratën këtë verë ose do të shitet. Megjithatë, ky ultimatum i presidentit të PSG-së nuk ka ndikuar te sulmuesi francez.

Fakti që PSG bëri publik problemin që lidhet me të ardhmen e tij nuk e ndryshoi aspak planin e Mbappes, shkruan shtypi francez.

Siç raportojnë mediat franceze, Mbappe i ka dhënë një përgjigje PSG-së të nesërmen, përmes nënës së tij Fayza Lamari, e cila është edhe menaxherja e tij.

Nënkampioni i botës u tha parisienëve se nuk do të rinovojë kontratën dhe se nuk do të shkojë në një ekip tjetër këtë verë. Dhe kështu, ai do të jetë prezent në grumbullimin e skuadrës të planifikuar për në datën 20 korrik.

Mbappes i skadon kontrata me PSG-në sezonin e ardhshëm dhe mediat raportojnë se ai ka një marrëveshje parimore me Real Madridin dhe nëse nuk ndodh asgjë e paparashikuar në 12 muajt e ardhshëm, ai do të bëhet lojtar i Mbretërve.