Franca në alarm të kuq: Macron përballet me thirrje për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme

Pavarësisht vendosjes së rreth 45,000 forcave speciale të policisë  dhe xhandarmërisë në automjete të blinduara, trazirat shpërthyen për të katërtën natë radhazi në disa qytete franceze pasi një djalë 17-vjeçar u qëllua për vdekje nga një oficer policie gjatë një kontrolli trafiku në një periferi të Parisit. 

U dogjën ndërtesa dhe makina, u plaçkitën dyqanet, ndërsa policia bëri 471 arrestime.

Në Marsejë, persona me kapuç hynë në një dyqan armësh dhe vodhën armë gjahu, por jo municion, thanë autoritetet. 

Momenti i një shpërthimi të fuqishëm në zonën e portit të vjetër të Marsejës është kapur në një video amatore të shpërndarë në platformat e rrjeteve sociale. Nuk ka raportime për të lënduar në zonë.

Kryetari i bashkisë së Marsejës, Benoît Payan, i bëri thirrje qeverisë që të forcojë forcat e sigurisë. “Skenat e plaçkitjeve dhe dhunës janë të papranueshme”, shkroi ai në Twitter.

Në Lyon, Strasburg dhe Grenoble, u raportuan plaçkitje dyqanesh dhe përleshje mes të rinjve dhe policisë.

“Dhuna nuk është zgjidhje”, është mesazhi që ka ndarë futbollisti i njohur francez Kylian Mbappe , në emër të bashkëlojtarëve të tij në kombëtare. Duke pranuar zemërimin për vdekjen e 17-vjeçares Nael, ai bëri thirrje për përmbajtje. 

“Koha e dhunës duhet të përfundojë dhe t’i japë vendin zisë, dialogut dhe rindërtimit”, nënvizohet në deklaratën përkatëse.

Përshkallëzimi i dhunës e ka lënë presidentin francez Emmanuel Macron  të përballet me krizën e tij më të keqe që nga epoka e protestave të Jelek Verdhëve.

I pyetur nëse qeveria franceze ka ndërmend të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ministri i Brendshëm Gérald Darmanen tha dje për TF1 news: “Nuk po përjashtojmë asgjë, do të shohim se çfarë do të zgjedhë presidenti i Republikës”.