Mediat gjermane: Zgjerohen protestat kundër Aleksandër Vuçiçit në Serbi

Pas dy vrasjeve masive në maj, njerëzit në Serbi kanë protestuar vazhdimisht kundër qeverisë. Partitë opozitare të majta dhe liberale kanë bërë thirrje për protesta të reja- dhjetëra mijëra njerëz po i ndjekin nga pas

STERN

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan përsëri kundër dhunës në Serbi. Në Beograd kjo ishte protesta e tetë radhazi, ndërsa njerëzit dolën në rrugë në të paktën tetë qytete të tjera.

Demonstratat u shkaktuan nga dy vrasje masive në maj, në të cilat humbën jetën 18 persona. Zemërimi i qytetarëve në protesta vazhdoi t’i drejtohej presidentit Aleksandër Vuçiç, qeverisë dhe medieve tabloidike që kontrollohen prej saj, të cilat nxisin urrejtjen dhe glorifikojnë dhunën.

Në Beograd, demonstruesit bllokuan përkohësisht autostradën e qytetit. Demonstrata të tjera u zhvilluan në qytetet kryesore të Novi Sadit, Nishit dhe Kragujevacit, por edhe në qytetet më të vogla të Kraljevës, Suboticës, Vranjës, Sabacit dhe Leskovcit. Partitë e opozitës së majtë dhe liberale si dhe lëvizja civile kanë bërë thirrje që tubimet të vazhdojnë.

Dy vrasjet masive të palidhura, por përkohësisht të afërta, kanë tronditur thellë shoqërinë serbe: një 13-vjeçar qëlloi nëntë shokë klase dhe një roje sigurie në një shkollë të Beogradit në fillim të majit. Një ditë më vonë, një 21-vjeçar qëlloi mbi njerëzit në fshatin e tij afër Beogradit, duke vrarë tetë prej tyre.