Pepe Reina nuk ndalet, gardiani 40-vjeçar zgjat bashkëpunimin me Villarreal

 

Thuhej se do të ishte sezoni i tij i fundit në futboll, por Pepe Reina i ka heshtur të gjithë. Portieri 40-vjeçar nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli dhe ka rinovuar edhe për një vit kontratën me Villarrealin.

Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi spanjoll përmes një postimi në rrjetet sociale ku thuhet për rinovimin e gardianit spanjoll. Pepe Reina ka rinovuar me Villarreal deri në vitin 2024, pasi kontrata aktuale skadonte në fund të këtij sezoni.

Portieri 40-vjeçar do të jetë edhe për një vit tjetër pjesë e “nëndetëses së verdhë” pasi u rikthye vitin e kaluar. Reina ka luajtur në Europë për klube të tjera të njohura si Barcelona, Liverpool, Napoli, Bayern Munich, Milan, Aston Villa dhe Lazio.