Berisha: Sot ndjehem muxhahedin! Aktakuza u shkrua në Teheran, Shqipëria veproi si vasale e Iranit

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi në Kuvend sot se ndjehet muxhahedin.Berisha tha se bastisja në kampin Ashraf ishte një poshtërim ekstrem i Shqipërisë, që veproi si një vasale e Iranit.

"Jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe dhe për të kërkuar futjen urgjente në rendin e ditës të masakrës që u krye në kampin e muxhahedinëve të popullit.

Jam këtu gjithashtu për të deklaruar sot se në këtë moment ndjehem më shumë se kurrë njëri prej tyre, ndjehem një muxhahedin, luftëtar i lirisë. T’u shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe të simpatisë.

Ndjehem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë të vet, në strehë të vet, një luftëtar lirie.

Ndjehem sot muxhahedin më shumë se kurrë, sepse aktakuza e djeshme, që lexuat, është historia më e turpshme për një vend. Ajo ishte e shkruar në Teheran. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje, trillime të shërbimeve të ajatollahëve ndaj luftëtarëve të lirisë.

Aktakuza përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit. Sikur është Siria e Aasadit mund të shkruhej në atë mënyrë.

Mund të ktheheshin shpifjet dhe trillimet e shërbimeve sekrete të ajatollahëve, që nga mëngjesi deri në darkë, ditën dhe natën, konspirojnë kundër vendeve të lira. Dhe të marra ato për bazë, për të ushtruar një reprezalje më të turpshme në historinë e këtij vendi.

Ndaj dhe kërkoj largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm. Kërkoj të mbajmë një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra për t’u bërë i pavdekshëm. Që e vranë në bukë të vet këta të pabesë, që e vranë në shtrat të vet këta të pabesë.

Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të tij! tha Berisha.