Meta, pengu në shtegun e Edi Ramës

Mori 87 vota, u bë Kryetar i Shtetit, por kjo nuk ia ktheu buzëqeshjen. Ilir Meta nuk po shkon në Presidencë me këmbët e veta. Diçka e padukshme po e shtyn në rrugën drejt Presidencës, tek e cila do të arrijë në 24 korrik.

Deri sa të arrijë aty do të rrjedhin shumë ngjarje, rruga do të jetë me shumë rreziqe, jo me kot Rama zgjodhi Metën për t'i prirë. Askush nuk e do rolin e udhërrëfyesit në shtegun që i ikën demokracisë. Fitorja e parë e Ramës, është që në këtë shteg nuk mbeti vetmitar, mori Ilir Metën, madje e vuri të parin, si mburojë.

Nga ora 18:00 e 28 prillit 2017, shqiptarët kanë mundësinë të shohin se si njeriu që deklaroi se nuk futet në zgjedhje pa opozitën, se nuk mund të marrë pjesë në një farsë, se nuk quhen zgjedhje po votime, se kryesia e LSI vuri kusht për gjetjen e konsensusit me opozitën, ecën kokëulur duke shkelur mbi veten. Nuk është një fëmijë rebel që po e çojnë në shkollë me zor, nuk është një i burgosur i arratisur që po e kthejnë në burg, është një peng që po e ekspozojnë në majë të Shtetit për të paralajmëruar kundërshtarët në çadër, për fatin që i pret.

Ata djem e vajza që ishin mbledhur me kushtrimin tradicional të LSI, sado të pajisur me fishekzjarrë, nuk arrinin të entuziazmonin as njëri-tjetrin. Për LSI ishte një ditë e errët. I morën liderin themelues, atë që e identifikonte dhe e lanë pa kokë. Ashtu, pa kokë, do të shkojë në zgjedhjet pa opozitën, ku do të konkurrojnë me PS, me PDIU, me LIBRA etj., por tashmë të përjashtuar nga gara për vendin e parë. Ua morën objektivin "Meta Kryeministër", ua morën sloganin "një shans për të gjithë". Në këtë garë ku po hyn, në këtë shteg ku po kalon, rezultati favorizon vetëm Edi Ramën. Ai mund t 'i fitojë zgjedhjet vetëm, dha një karrige honorifike për t'u bërë i plotfuqishëm, për të hequr vargonjtë e aleatëve duke i shtyrë ata në opozitë dhe opozitën në rrugë.

Këtu nis problemi, jo te fati i Ilir Metës, jo tek fati i LSI, por tek fati i 600 mijë shqiptarëve që nuk do të gjejnë partinë e tyre në fletën e votimit. Fatkeqësia nuk është vetëm e tyre, përcarja e madhe do të viktimizojë edhe ata që do të kenë për kë të votojnë. Historia 25 -vjeçare e ka treguar këtë.

Që nga viti 1996 ka patur zgjedhje te kontestuara. Pas 26 majit '96, opozita e rrahur, as nuk i coi në parlament ata 6 deputetë që fituan. Populli opozitar ishte i shokuar. Greva urie, ndërhyrje ndërkombëtare, asnjë rezultat. Tensioni shpërtheu tek Piramidat dhe dihet cfarë ndodhi më pas. Zgjedhjet e '97 po ashtu nuk arritën t'i pajtonin shqiptarët. Situata u kthye në normalitet pas më shumë se 1 viti, kur po fillonte lufta në Kosovë.

Zgjedhjet e 2001, po ashtu u kontestuan. Vetëm marrëveshja e prillit të 2002 arriti ta qetësojë situatën. Në 2009 u prodhua një 4-vjecar pa stabilitet, për shkak të kontestimit të zgjedhjeve. Vetëm në 2005 dhe 2013 nuk ka patur kontestim rezultati dhe zgjedhjet kanë sjellë stabilitet. Këtë vit po ndodh ndryshe. Opozita ka vendosur të marrë masat paraprake, nisur nga shenjat që dihen tashmë.

Mund të zgjidhte edhe rrugën që ndoqi Rama në 2009, të priste përfundimin e zgjedhjeve, të kontestonte rezultatin dhe të prodhonte një 4 vjecar tjetër me destabilitet. Në vend të kësaj, Qeveria Teknike duket shumë më mirë, marrja e masave paraprake është më e mirë se 4 vjet torturë politike, si 2009-2013. Edhe nëse opozita nuk ka të drejtë në paralajmërimet e saj, edhe nëse e bën këtë prej frikës nga Reforma në Drejtësi apo nga humbja në zgjedhje, Qeveria Teknike përsëri do të ishte një zgjidhje për të shmangur 4 vjet krizë politike.

Kështu dukej sikur mendonte edhe Ilir Meta përpara se të merrej peng. Kjo rrugë nuk sillte fitoren e opozitës, sepse numrat nuk flasin për këtë, por sillte me siguri fitoren e demokracisë, të stabilitetit afatgjatë. Dukej e arritshme, derisa Ilir Meta nxori nga xhepi bllokun dhe filloi llogaritë. Këtë herë me Edi Ramën dhe me ambasadorët.

Ata që nuk dihet cila forcë i shtyn për të bërë gallatë me këtë vend. Ata që duken të dehur nga hashashi kur flasin për normalitetin e zgjedhjeve pa opozitën. Nga ata duket sikur buron mbifuqia e Ramës, që e detyroi Ilir Metën, të marrë shtegun e aventurës, në shtegun e diktaturës.

Shkruar për SYRI.net