VIDEO/ Pak para skandalit seksual u publikua afera 10 mln euro Gjici-Veliaj
Safet Gjici dha dorëheqjen dhe u shkarkua nga detyra pas publikimit të videos skandaloze duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij.
Por prej kohësh, mediat dhe opozita kanë denoncuar faktin se ai ka përfituar miliona euro nga pushteti i Edi Ramës.
Ndërkohë, vetëm pak përpara publikimit të videos skandaloze, mediat denoncuan një tender 10 milionë euro të fituar nga Safet Gjici nga Ujësjellësi i Tiranës. Tenderi me vlerë rreth 10 milionë euro për vendosjen e kamerave në depot e Ujësjellësit të Tiranës u fitua nga një grup operatorësh, ku rolin kryesor e kishte shoqëria ‘Euro-Gjici’ e krijuar nga Safet Gjici.
Ata vepruan në kushtet e “marrëveshjes së ndaluar”, në shkelje flagrante të ligjit për konkurrencën. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se ka “vërtetuar katërcipërisht se operatorët ekonomikë kanë përdorur skemën e marrëveshjeve të ndaluara, duke rënë dakord që me përpara që të mos paraqiten secili më vete në procesin e prokurimit, por të gjithë së bashku, si bashkim operatorësh”.
Ky konstatim është publikuar në raportin e auditit të përfunduar në prill 2023 në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dhe të publikuar së fundmi. Megjithatë, një fakt i tillë nuk është marrë parasysh.
Tenderi u denoncua edhe nga kreu i opozitës, Sali Berisha. “Lal Vjedhësi ndan me Gjicin 10 mln euro, në tenderin e Ujësjellësit të Tiranës,” shkruante Berisha.