Ben Blushi deklaron votën kundër Ilir Metës president. Ja arsyet

Gjatë seancës së orës 17.00 të pasdites së sotme, ku pritet që Ilir Meta me dakortësinë e PS-së të zgjidhet presidenti i ri i vendit, nuk priten surpriza. Gjithsesi ende pa nisur kjo seancë, dy vota janë deklaruar kundër kandidaturës për këtë post të rëndësishëm të kreut të LSI-së; Janë ato të LIBRA, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.

Arsyet e kësaj vote kundër, Blushi i ka shpjeguar sot në mëngjes nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook.

“NUK VOTOJ ILIR METËN

Kam patur të drejtë kur kam thënë, se kriza po hyn në krizë. Ilir Meta kërkon të zgjidhet President në mes të krizës, për shkak të krizës dhe në kurriz të krizës, për ti ikur krizës. Kur të gjithë duhej të lëshonim diçka për të lehtësuar peshën e anijes së Shqipërisë që po mbytet, ky mori edhe atë pak pushtet që kishte mbetur. Ilir Meta u bë President nga frika dhe jo nga shpresa. Ilir Meta është Presidenti i Rilindjes dhe jo i Popullit. Është Presidenti i të shkuarës jo i të ardhmes. E si mund ta votoj? LIBRA voton vetëm të ardhmen”, deklaron arsyet e votës kundër Ilir Metës president, deputeti Ben Blushi.