Muçi: Realizova ëndrrën, në këto ndeshje do të marrim rezultate pozitive

Kombëtarja shqiptare vijon me përgatitjet intensive për dy takimet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Që prej ditës së hënë, kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin në ‘Shtëpinë e Futbollit’ nën urdhrat e trajnerit të Kombëtares, Silvinjo si edhe stafit kuqezi.

Në prag të sfidës së parë ndaj Moldavisë, që do të luhet në stadiumin ‘Air Albania’ më 17 qershor, futbollisti i Kombëtares, Ernest Muçi doli paraditen e kësaj të shtune në një konferencë për media, ku iu përgjigjën edhe interesit të gazetarëve të pranishëm.

I lumtur që ka marrë një ftesë nga Kombëtarja, Muçi mori fjalën dhe theksoi rëndësinë e rezultateve të mira para anës personale. Sulmuesi, i cili aktivizohet në Poloni, thekson se duhet të besojnë dhe të japin maksimumin për të qenë pjesë e kampionatit europian “Gjermani 2024. Muçi thekson se Shqipëria i ka cilësitë, ndërkohë që foli edhe për konkurrencën në ekip dhe bisedën që ka pasur me trajnerin Silvinjo.

Ftesa nga Silvinjo – “Ndihem shumë krenar dhe i lumtur që jam pjesë e listës për këto dy ndeshje. Trajneri ka besim tek unë, kam komunikuar dhe e shikoj që pret nga unë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares”.

Ku mund të arrijmë – “Ëndrra jonë dhe qëllimi jonë është të marrim pjesë në Europian. Ndeshja me Moldavinë është ajo ku duhet të fokusohemi, e para, e luajmë në shtëpinë tonë. Duhet të marrim pikët maksimale”.

Kualifikimi në Europian – “Grupi është shumë i mirë, besoj se do japim maksimumin dhe duhet të besojmë deri në fund për këtë ëndërr që e kemi të gjithë bashkë, që të marrim pjesë në Europian. Ia dolëm një herë dhe besoj se e kemi kualitetin dhe mundësinë t’ia dalim përsëri. Do besojmë deri në fund”.

Skemat e Kombëtares me Silvinjon – “Ideja e lojës që trajneri ka është një mënyrë shumë e mirë për mua dhe sulmuesit e tjerë. Mendoj që kryesorja është që ekipi të marrë pikët maksimale dhe të bëjmë sa më mirë në këto dy ndeshje. Do jem gati në qoftë se do thërritem që të ndihmoj ekipin në fushë”.

Konkurrenca në sulm – “Të gjithë sulmuesit kanë cilësi, kanë bërë mirë në ekipet e tyre. Konkurrenca është diçka e mirë për çdo futbollist. Rëndësi ka që Kombëtarja të fitojë. Jam i motivuar që të luaj sa më shumë dhe të ndihmoj Kombëtaren”.

Forma e mirë edhe te Kombëtarja – “Ndihem shumë mirë që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe jam gati, që nëse trajneri më fut në fushën e lojës, të ndihmoj ekipin”.

Rikthimi në Air Albania – “Është një ëndërr të luaj për Kombëtaren në këtë stadium, është ndjenjë shumë e bukur që jam pjesë e Kombëtares. Shpresoj që të paraqitem mirë dhe të fitojmë ndeshjen”.