Përplasi dy vajzat e mitura dhe iku, arrestohet shoferi

Policia ka njoftuar se ka vënë në pranga shoferin që përplasi të premten në darkë dy vajza të mitura. Ngjarja ndodhi në qendër të Rrogozhinës. 59-vjeçari pasi përplasi dy vajzat, 10 dhe 11 vjeçe, u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan shtetasin A. L., 59 vjeç, banues në Peqin, pasi në segmentin rrugor Rrogozhinë-Peqin, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka aksidentuar dy shtetase të mitura 10 dhe 11 vjeç”, njoftoi policia.

Raportohet se dy vogëlushet janë dërguar në spitalin e Durrësit dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kanë kaluar prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.