Boris Johnson jep dorëheqjen si deputet, kritikon ashpër Rishi Sunak

Boris Johnson ka dhënë dorëheqjen si deputet me efekt të menjëhershëm dhe në një letër dorëheqje ka kritikuar ashpër, kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Ish-kryeministri sulmoi gjithashtu panelin e deputetëve që po hetojnë nëse ai gënjeu Parlamentin për festën e organizuar kur Britania e Madhe ishte e mbyllur nga pandemia Covid-19. 

Komiteti i privilegjeve tani ka konfirmuar se do të takohet të hënën për të përfunduar hetimin e tij, me një zëdhënës që premton të publikojë raportin e tij "menjëherë", shkruan Skyneës.

Në një deklaratë  prej 1000 fjalësh, zoti Johnson pohoi:

• Një "grusht i vogël njerëzish" po përdorin hetimin e tyre për të më "përzënë" nga parlamenti

• Deputetët në komitetin e privilegjeve nuk kanë "prodhuar asnjë copë provë" për të sugjeruar se kam mashtruar Parlamentin - dhe raporti i tyre është "i mbushur me pasaktësi dhe erë paragjykimi".

• Komiteti është një "gjykatë kangur" që është e vendosur të më shpallë  fajtor

• Një "gjueti shtrigash" është duke u zhvilluar për të "marrë hak për Brexit" dhe për të ndryshuar rezultatin e referendumit

Johnson ishte veçanërisht kritik ndaj deputetes laburiste, Harriet Harman, kryetare e komitetit të privilegjeve, dhe pretendoi se ajo po mbikëqyrte një panel të drejtuar nga "paragjykim skandaloz".

Dorëheqja e tij do të thotë se Rishi Sunak tani përballet me perspektivën e dy zgjedhjeve të pjesshme, me Nadine Dorries - një nga aleatet më të ngushta të Johnson që gjithashtu njoftoi të premten se do të lironte vendin e saj  menjëherë.

Konservatorët mund të përballen me një luftë të vështirë për të mbajtur vendin e zotit Johnson në Uxbridge, në perëndim të Londrës , me të dhënat e sondazheve nga Savanta që sugjerojnë se Laburistët aktualisht kanë një avantazh prej 14 pikësh në zonën elektorale.