VIDEO/ E frikshme në Korenë e Jugut, shkallët elektrike ndryshojnë papritur drejtim, dhjetëra të plagosur

Të paktën 14 persona janë lënduar pasi një shkallë elektrike në ngjitje ndryshoi papritur drejtim duke rrëzuar përtokë dhjetëra njerëz në një stacion metroje në Korenë e Jugut.

Kamerat e sigurisë regjistruan momentet në shkallët e stacionit qendror të Sunae në jug të kryeqytetit Seul dhe janë bërë virale.

Në pamje shihet që shkalla në ngjitje është e mbushur me njerëz kur papritur ndryshon drejtim duke i rrëzuar të gjithë udhëtarët përtokë.

Policia dhe zjarrfikësit thanë për aksidentin e mëngjesit të së martës se tre nga të plagosurit kishin plagë serioze në kurriz e në këmbë, 11 të tjerë trajtuan për plagosje të lehta.

Nuk dihet ende çfarë e shkaktoi keqfunksionimin e shkallëve dhe zyrtarët e zjarrfikësave thonë se janë duke hetuar.

“Unë fillimisht mendova se ishin duke xhiruar një film katastrofash, kur pashë aq shumë njerëz rreth hyrjes së rrethuar”, tha një rezident 68-vjeçar  për rrjetin vendas Korea JoongAng.

Autoritetet koreano jugore po vijojnë hetimet për aksidentin.