Arritën rezultat historik në Ballkaniadën e karates, babë e bijë flasin për Syri TV: Ndihemi krenar, por sportistët nuk kanë mbështetje nga institucionet

Shqipëria arriti një rezultat të historik në Ballkaniadën e 27 të Karates për Fëmijë në disiplinën Kumite në kategorinë -50 kg,U12, i zhvilluar ne Tivar  - Mal i Zi nga data 25 - 29 Maj 2023,me pjesëmarrjen e 1345 sportistëve nga 13 shtete, ku Shqipëria u përfaqësua me 15 sportiste (3 vajza dhe 12 djem).

Talentja e artë, Amanda Dedej, arriti të triumfonte përballë bashkëmoshatareve të saj duke i siguruar vendit tonë medaljen e artë në kategorinë U12.

Sot, kampionia e Ballkanit ne Karate, e shoqëruar nga trajneri i saj Lirim Dedej (njëkohësisht edhe babi i Amandës) ishin të ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, ku treguan më shumë për suksesin e arritur në Mal të Zi, por edhe për vështirësitë që hasin sportistët, pasi u mungon mbështetja nga autoritetet.

Pjesë nga biseda:

Flavio: Duhet të jeni ndjerë shumë krenar edhe si baba edhe si trajner për arritjen në Mal të Zi?

Lirim Dedej: Është kënaqësi e dyfishtë kur një sportist i yti për më tepër që është vajza jote del kampione e Ballkanit në nivelin më të lartë për fëmijë.

Flavio: Çfarë do të thotë ky rezultat në nivel përfaqësimi ky rezultat?

Lirim Dedej: Në këtë kampionat morën pjesë 13 shtete ballkanike të grupmoshave nga 10 deri në 13 vjeç, ku shkojnë 3 sportistët më të mirë të çdo shteti në kategoritë përkatëse. Amanda prezantojë Shqipërinë në moshën 12 vjeç, ku bëri 4 gara në kategorinë -50 kg.

Garën e parë e kishte me Serbinë që e fitojë 7:0, garën e dytë e kishte me Slloveninë që e fitojë 6-0, garën e tretë e kishte me Bosnjë Hercegovinën që e fitojë 4-0, ndërsa në finale u përball me sportisten turke që shkojë 0-0 me pikë, por u ndanë me Hante ( me flamurë) 3-2 për Amandën.

Flavio: Mendonim se Kosova na e kishte kaluar përsa i përket sporteve të dy-luftimit. A ka shanse Shqipëria të arrijnë rezultate të mëdha në arenën ndërkombëtare?

Lirim Dedej: Shqiptarët gjejnë vetën në sportin e karates. Në këtë ballkaniadë, Kosova mori pjesë me 83 sportist dhe arriti të merrte vetëm një medalje ari, Maqedonia e Veriut mori pjesë me 110 sportistë dhe nuk arriti të merrnin medalje ari, ndërsa Shqipëria e cila kishte vetëm 15 sportistë arriti të merrte një medalje ari. Pra me kaq pak sportistë arritëm të linim gjurmë në këtë kampionat.

Flavio: Sa suport keni patur nga institucionet?

Lirim Dedej: Nga pushteti qendror kemi patur zero suport. Ndërsa federata na ka hequr shpenzimet vetëm ne katër trajnerëve, ndërsa sportistët kanë shkuar më shpenzimet e tyre. Madje një prej sportistëve ka marrë kredi për të marrë pjesë në këtë kampionat.

Më pas ishte vetë kampionia e Ballkanit, Amanda Dedej, e cila tregoi emocionet pas këtij rezultati të madh.

Flavio: Si ndihesh?

Amanda: Ndihem shumë mirë dhe shumë e gëzuar për rezultatin e arritur në kampionatin ballkanik.

Flavio: Do ndalesh me kaq apo do vazhdosh më tej në këtë sport?

Amanda: Sigurisht që do të vazhdoj deri sa të shpallem kampione bote.

Flavio: Kur është gara e radhës?

Amanda: Gara e radhës është në Stamboll ku padyshim synimi është të fitojë medaljen e artë. (A.Gj)