Barcelona pas kalimit të Messit në MLS: Ne donim që ai të vishte sërish fanellën tonë

Klubi katalanas Barcelona reagoi zyrtarisht për kalimin e futbollistit argjentinas Lionel Messi në ligën MLS.

Pasi u bë e qartë se Messi nuk do të rinovonte kontratën me PSG-në, pati spekulime se argjentinasi do të rikthehej te Barcelona, ​​por kjo nuk ndodhi. Ai e hodhi poshtë këtë mundësi, si dhe milionat nga Arabia Saudite dhe nënshkroi për Inter Miami. Më pas ai shpjegoi vendimin e tij dhe Barça ureagoi  me një postim të shkurtër në faqen zyrtare.

 “Të hënën, më 5 qershor, Jorge Messi, babai dhe përfaqësuesi i lojtarit, informoi presidentin e klubit, Joan Laporta, për vendimin e futbollistit që t’i bashkohet Inter Miamit, pavarësisht se i ishte paraqitur një propozim nga Barça, duke marrë parasysh dëshirën e FC Barcelonës dhe Lionel Messit që ai ta veshë edhe një herë fanellën blaugranase. 

Presidenti Laporta e kuptoi dhe e respektoi vendimin e Messit që dëshironte të garonte në një ligë me kërkesa më të vogla, shumë larg qendrës së vëmendjes dhe presionit që e ka pasur në vitet e fundit.

Joan Laporta dhe Jorge Messi po ashtu u pajtuan që të punojnë së bashku për të promovuar përshëndetjen e duhur nga tifozët e Barçës, për ta nderuar futbollistin që gjithmonë ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë i dashur nga Barça”, shkruhet në komunikatën e Barcelonës. 

Vendimi i Messit për të shkuar te Inter Miami do të thotë se ai është larguar nga Evropa pas 23 vitesh, ku pati një karrierë të shkëlqyer.