Firmosi në Arabinë Saudite, Benzema: Ishte koha për një sfidë të re, Ronaldo më tregoi se...

Karim Benzema u largua nga Real Madridi pas 14 vitesh dhe u transferua në Arabinë Saudite, duke pranuar ofertën e majme të Al-Ittihad.

Pas nënshkrimit të kontratës, sulmuesi francez foli fjalët e para si lojtar i kampionëve të Arabisë Saudite: "Mezi pres të përjetoj një kampionat të ri në një vend tjetër. Al-Ittihad ka një histori të jashtëzakonshme, tifozë tepër pasionantë dhe ambicie të mëdha futbolli për t'u bërë një forcë në Azi pas fitores. Kam patur shansin për të arritur gjëra të jashtëzakonshme në karrierën time dhe për të fituar gjithçka  të mundshme në Spanjë dhe në Evropë. Mendoj se ka ardhur koha për një sfidë të re, për të realizuar një projekt të ri. Sa herë që kam vizituar Arabinë Saudite, gjithmonë kam ndjerë kaq shumë ngrohtësi dhe dashuri nga tifozët dhe njerëzit.

Një sfidë e re : "Është një sfidë e re për mua, një jetë e re dhe mezi pres të filloj stërvitjen me shokët e rinj. Do të bëj gjithçka për të fituar trofe, për të shënuar, për të treguar talentin tim, për të kënaqur tifozët, klubin, presidentin, të gjithë. Është një kampionat i mirë dhe ka shumë lojtarë të mirë. Cristiano Ronaldo është tashmë pjesë saj, një mik që më tregoi se Arabia Saudite po fillon të rritet. Unë jam këtu për të fituar, siç bëra në Evropë."