Tifozët u futën në fushë për të festuar dhe rrezikuan presidentin, ekipi përjashtohet nga Liga e Konferencës

Goditje e rëndë për skuadrën e Beitar Jeruzalem. Skuadra izraelite është përjashtuar nga Liga e Konferencës, sipas vendimit që është marrë në organet juridike të Federatës edhe pse ka fituar Kupën e Izraelit.

Pas fitores 3-0 ndaj Makabi Netanja në finale, tifozët e Beitar pushtuan fushën të entuziazmuar.

Por ata e tepruan me festën e pakontrolluar, aq sa ceremonia e dhënies së medaljeve dhe trofeut u anulua dhe presidenti i vendit, Isak Hercog, u largua me shpejtësi nga stadiumi pasi u cilësua në rrezik për jetën.

Festimet e gjata, sipas komisioneve disiplinore të federatës sollën edhe “dëme strukturore” në stadiumin e ndeshjes.

“E kthyen finalen në një protestë të madhe, të turpshme dhe poshtëruese”, shkruhej mes të tjerave në argumentimin e vendimit për Beitarin, i cili u dënua edhe me 20 mijë euro gjobë, si dhe me heqjen e 3 pikëve nga kampionati i ardhshëm.

Sikur të mos mjaftonte kjo, është caktuar që pikërisht Makabi Netanja të shkonte në Ligën e Konferencës, si pasojë e trazirave të shkaktuara nga tifozët e Beitar.