Pas satelitëve, qeveria blen dronë turk të armatosur: Do vëzhgojnë territorin…

Qeveria shqiptare i dha sot dritën jeshile blerjes së tre dronëve turq të armatosur Bayraktar TB2 që do të shërbejnë për rritjen e sigurisë kombëtare dhe kontrollit të territorit.

Kontrata e shitblerjes për “furnizimin me një sistem mjetesh ajrore pa pilot” u nënshkrua dhjetorin e kaluar mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe kompanisë turke Bayraktar dhe u miratua sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Fillimisht do të blihen tre dronë inteligjentë, ndërsa rreth 30 persona do të trajnohen për t’i përdorur ato.

Sipas autoriteteve shqiptare, këta dronë ushtarakë do të përdoren për qëllime të ndryshme, si identifikimi i parcelave me kanabis në luftën e tyre policore kundër këtyre kulturave të paligjshme, një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi ballkanik.

Gjithashtu, do të mundësojë zbulimin e ndërtimeve pa leje nga ajri dhe do të lokalizojë zjarret në pyje gjatë verës.

Shqipëria i bashkohet kështu vendeve të tjera të rajonit që e kanë blerë këtë lloj arme nga Turqia, prodhuesi i katërt më i madh në botë i dronëve pas Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Kinës.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një buxhet prej rreth tetë milionë eurosh për këto blerje, ndonëse shuma e transaksionit nuk është bërë publike deri më tani.