‘Të ikin ministrat dhe policia, por unë të rri’. Kjo është skandaloze

Analisti Fatos Lubonja ka folur dje për dështimin e bisedimeve, për zgjidhjen e krizës dhe për “lëshimet” absurd që bëri Edi Rama pas takimit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian. Sipas tij, një ndër problemet kryesore për gjendjen ku ndodhet Shqipëria është personalizimi i institucioneve nga Kryeministri Rama dhe mungesa e vullnetit të mirë, për të ndryshuar Shqipërinë.

I pyetur në edicionin e lajmeve në “News 24”, për lëshimet që ofroi kryeministri ndaj opozitës, siç ishin disa vende ministrash, apo ndryshime në kupolën drejtuese të policisë, Lubonja tha se kjo është skandaloze.

“Është skandaloze kjo që ndodhi me Ramën, që deklaron se “i heq disa ministra menjëherë, vetëm unë të mos iki nga kryeministër. Ç’do më thënë kjo në thelbin e vet? Mos iki unë por të ikin ministrat, të ikë policia. Kjo tregon se tek ne institucionet janë personalizuar, rëndësi ka që është kryeministri, të tjerët janë vegla”, tha analisti i njohur.

Lubonja më pas në analizën e tij, ka dhënë edhe opsionin se si mund të zgjidhet kjo krizë që ka vetëm një emër.

“Kjo situatë duhet të ndryshojë. Duhet të jenë institucionet më të forta se personi. Mendimi im në thelb është ky: duhet një qeveri e vullnetit të mirë, por për fat të keq palët nuk e kanë këtë vullnet të mirë që të njohin të gjitha përgjegjësitë për këtë situatë ku është Shqipëria”, ka thënë ai.

SYRI.net