14 Maji/ Meta: Operacion kriminal shtetëror, drejtorë me çanta të zeza me para e armë në qendrat e votimit

Një operacion kriminal shtetëror të mirëstrukturuar në të gjitha planet e ka konsideruar kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, procesin zgjedhor të 14 majit për zgjedhjet lokale në vendin tonë. Në Intervistën me Merita Haklajn në A2News. ai ia faturoi përgjegjësinë për humbjen e opozitës në këto zgjedhje vetëm kryeministrit Edi Rama dhe jo emrit të tij dhe të Sali Berishës në koalicionin “Bashkë fitojmë”. Duke folur me fakte, Meta tha se drejtorë dhe administratorë janë parë në qendrat e votimit me çanta të zeza me para dhe armë.

 “Ky është rezultat i një operacioni kriminal të mirëstrukturuar në të gjitha planet dhe janë të ndërgjegjshëm të gjithë shqiptarët pavarësisht si kanë votuar. Operacioni ka nisur që me vendimin e Ramës për të mos regjistruar PD-në në gjykatë dhe kontrollin ndaj gjyqësorit dhe lojën me vulën deri sa të përfundonte procesi i regjistrimit dhe pasojat e tjera të procesit anormal që ka ndodhur në vendin tonë gjatë këtyre 32 viteve i orkestruar nga Rama e institucionet që duhet të drejtojnë zgjedhjet dhe bandat e administratën. Të gjithë i keni parë drejtorët e administratorë. Janë sjellje kriminale pranë qendrave të votimit i kanë parë shqiptarët nga 30-40 veta me çanta të zeza ca me leke, ca me armë. Thërritej policia e cila nuk vinte se u shkri në një”.

Me nota optimizmi, Meta tha se 14 maji i dha fund monizmit absolut, për shkak të përfaqësimit të këshilltarëve bashkiakë të opozitës.

“Jemi këtu se besojmë disa vlera dhe luftojmë për to dhe lirinë e qytetarëve shqiptarë që është më e cenuar se asnjëherë tjetër që nga liria për të votuar. Është më e kërcënuar se kurrë dhe deri te liria e pronave që shohim këto ditë pas zgjedhjeve. Nuk kemi pasur iluzion që Rama do të jetë garant i këtyre proceseve, por mos harrojmë që opozita i dha fund monizmit absolut të pushtetit vendor, ku opozita kishte zero këshilltarë. Opozita do të jetë në të gjitha këshillat bashkiakë dhe nis një proces ballafaqimi e llogaridhënie që do të japë impaktin e vet. Rama bëri çdo gjë që të mos regjistrohen kandidatë tanë dhe për të përjashtuar PD e vërtetë”.  

Një përgjigje e pati edhe për kritikët që thonë se nuk po tregojnë prova dhe fakte për procesin e  zgjedhjeve. Sipas tij ata përsërisin tezat e Ramës se ushqehen nga paratë e inceneratorëve.

“Të gjithë kritikët që ushqehen me paratë e mediave të inceneratorëve që nuk ekzistojnë janë të lirë të përsërisin tezat e Ramës e Endri Fugës. 14 maji një shtet i kriminalizuar në mënyrë kapilare një administratë e politizuar në mënyrë ekstreme, shkrirje e policisë me bandat. Këtë  e kanë parë të gjithë qytetarët. Votuesve të opozitës u është bërë presion dhe u janë marrë kartat që të mos dalin nga shtëpitë dhe të votonin më 14 maj”.