Ministrja e Jashtme gjerman: NATO nuk mund të pranojë anëtarë të rinj kur ata janë në luftë

NATO nuk mund të pranojë anëtarë të rinj që janë aktualisht të përfshirë në luftë, tha të enjten ministrja e Jashtme gjermane, ndërsa ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të aleancës ushtarake takohen në Oslo.

"Politika e dyerve të hapura të NATO-s mbetet në fuqi, por në të njëjtën kohë është e qartë se nuk mund të flasim për pranimin e anëtarëve të rinj (të cilët janë) në mes të një lufte," u tha Annalena Baerbock gazetarëve përpara bisedimeve jozyrtare.

Deklaratat e saj erdhën pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se vendi i tij është gati të bashkohet me aleancën e mbrojtjes.

Baerbock tha se takimi në Oslo është një hap tjetër përpara samitit të liderëve të NATO-s në Vilnius, Lituani, të planifikuar për në korrik, i cili synon të nxisë marrëveshjen se si të forcohen marrëdhëniet me Kievin. 

Baerbock tha gjithashtu se NATO pret të mirëpresë Suedinë si një anëtare të re në samitin e Vilnius. 

Kërkesa e Suedisë për anëtarësim, edhe pse e mbështetur nga shumica e anëtarëve të NATO-s, deri më tani është penguar nga Turqia dhe Hungaria.

Anëtarësimi i Suedisë do të jetë një temë kryesore në takimin e ministrave të jashtëm këtë javë, tha më herët të enjten sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.