Kërkohet burg përjetë për Rrajën. SPAK paraqet kërkesën për dënimin e 2 prej atentatorëve të Shkozetit

Redjan Rraja u bë i njohur në një nga vrasjet më demonstrative të ndodhura në vendin tonë.

Ai u gjend në tavolinën e Elton Çiços mbrëmjen e 1 majit të 7 viteve më parë, teksa një person, që më vonë u identifikua si Jani Aliaj, hyri me armë në një lokal në Bllok, brenda të cilit kishte shumë oficerë policie dhe i mori jetën ish-mikut të tij, i cili kishte tentuar disa herë ta vriste. Redjan Rraja, u mor në pyetje aso kohe, madje edhe u vu nën akuzë por mundi t‘i shpëtonte drejtësisë pasi ai dëshmoi se kishte lidhje pune me viktimën dhe se nuk kishte të bënte me asnjë ngjarje që lidheshin me të.

Prej asaj kohe, stomatologu nga FushëKruja, u bë shpesh pjesë e dyshimeve të policisë që ngriheshin e binin brenda pak ditëve, teksa familja e tij u fuqizua jo vetëm ekonomikisht por mori edhe rol të padiskutueshëm politik. Emri i tij u përfol në disa ngjarje, por atentati ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj dhe vrasja në atë pritë e Andi Malokut, bëri që Redjan Rraja të vihej nën shënjestrën e policisë dhe të prokurorisë. U tha se për të pati prova të pakontestueshme edhe në mjetin e braktisur, ndërkohë që më vonë, Franca solli transkripte bisedash që, sipas SPAK, vërtetojnë pjesëmarrjen e tij në atë atentat mafioz ku iu mor jeta një djali të pafajshëm, shofer i prokurorit Ndoj. Prokurori dhe personi tjetër që u gjenden në makinë shpëtuan, ndonëse morën plagë të shumta.

Pretenca

Dje Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me burg të përjetshëm të Redjan Rrajës me akuzën se ka qenë një nga ekzekutorët e atentatit ndaj ish prokurorit Arjan Ndoj ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku dhe u plagos Landi Muharremi. Në pretencën e prokurorisë u kërkuan edhe 35 vjet heqje lirie për të arrestuarin tjetër Arjol Halilaj, i cili sipas SPAK, ka patur vetëm rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Seanca e radhës do të zhvillohet në 15 qershor ku fjalën do ta ketë mbrojtja për konkluzionet e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në 1 nëntor të vitit 2019, SPAK ka mundur të siguroje prova për autorët e atentatit dhe për urdhëruesit, ku për këta të fundit është ndarë një tjetër dosje e cila po hetohet më vete. Dy të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në seancë ku mbroheshin nga avokatët.

Materiali përfundimtar hetimor

Prokurori Adnand Xholi lexoi një material prej dhjetëra faqesh ku renditi provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, por edhe ato të sigurua nga zbërthimi i dy telefonave të Redjan Rrajës. Sipas akuzës, nipin e deputetit të PS-së e implikon AND-ja e gjetur në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij, të gjetura në makinën e autorëve, por edhe elementët biologjikë në rroba, kapele e një palë doreza ngjyre te zezë.

Për Prokurorinë, zbërthimi i dy telefonave dhe transkriptimi i komunikimeve me platformën SKY EÇ, janë të tjera provat që implikojnë të akuzuari në atentatin e ndodhur tek Ura e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës. Nga transkriptimi i komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar terma si “bidon”, “benzin”, “autostradë”, “benz”, “Arjani” etj., që korrespondojnë me veprimet, planin dhe lëvizjet e autorëve”. Përfaqësuesi i akuzës tregoi edhe detaje nga hetimet e kryera, ku theksoi se “ditën e ngjarjes, Redjan Rraja është zbardhur përmes valëve telefonike, pasi vendndodhja e tij është lokalizuar në vendin e ngjarjes, dhe sipas aplikacionit në telefonin e tij ai për 7 minuta ka kryer 886 hapa, veprime këto intensive dhe të sforcuara që sipas SPAK, tregojnë angazhimin në krim dhe largimin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Prokurori Xholi shtoi më tej se Rrahja është munduar të ketë një alibi për ditën e ngjarjes pasi “bashkëshortja e tij ka deklaruar se ai ndodhej jashtë vendit, të njëjtën gjë ai u kishte pohuar edhe personave të tjerë, kur në fakt është ndodhur në Shqipëri. Telefoni i Rrajës para ngjarjes është loguar në rrjetin “Wireless” të lokalit të Plaurent Dervishajt. Sipas SPAK, Arjol Halilaj ka marrë dy ekzekutorët me një automjet “Honda” dhe i ka larguar nga vendi i ngjarjes. Redjan Rraja i ka mohuar akuzat gjatë gjithë kohës pas arrestimit.

Ndalimi

Redjan Rraja është në burg lidhur me atentatin në vitin 2019 ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i “forti i Sukthit”, Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.

Makinës “Benz” me targë “AA 333 ZD” (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga prokurori Ndoj, iu bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet. Pas breshërisë së tetë plumbave makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit u transportuan me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku, 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

Rrëfimi i Rrajës

Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, mohoi të ketë lidhje me pronësinë e automjetit “Audi” që prokuroria i ka sekuestruar Kejvina Kthellës. Ai u shpreh se me Kejvinën ka vetëm lidhje miqësie dhe asgjë më tepër. Gjithashtu ai ka mohuar të ketë lidhje me blerjen e mjetit luksoz tip “Audi”. “Kam pasur marrëdhënie miqësie ne Kthellën, por asgjë tjetër. Ajo makinë ka qenë më emër dhe mbiemër të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është i saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja në gjykatë.

Në lidhje me të ardhurat e tij, Rraja tha se kishte tri klinika stomatologjike dhe se siguronte deri në 20 milion lekë fitime në vit. “Asnjëherë nuk kam shpenzuar më shumë se fitimet e mia”, tha ai. Sipas tij, një pjesë të shumës e kishte kërkuar pas për shkak se i ishin nevojitur gjatë kohës që kishte shkuar në Kanada. “Kur u ktheva nga Kanadaja do t’ia ktheja paratë, por u arrestova. Për këtë shkak i kërkova bashkëshortes ta revokonte kontratën”, tha Rraja. Ai tha se nuk kujtonte të kishte pasur marrëdhënie kontraktore me një familjar të Elton Çiços në vitin 2016 në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Rraja theksoi se mund ta ketë pasur paciente, pasi ka punuar 6 vite si stomatolog në Tepelenë. Si pacient Rraja tha se njihte edhe Elton Çiçon, duke kujtuar se kishte qenë në të njëjtën tavolinë me të momentin e vrasjes.