SHBA: Kryetarët në veri t’i kryejnë detyrat jashtë objekteve të komunave, të tërhiqet policia

Kryetarët në veri të Kosovës duhet t’i kryejnë detyrat jashtë objekteve të komunave dhe Policia duhet të tërhiqet nga zonat afër. Kjo ishte kërkesa e Shteteve të Bashkuara për Kosovën të mërkurën, pas tre ditësh tensionimi në veri.

Në deklaratën zyrtare në uebfaqen e Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari Antony Blinken ka thënë se ka qenë vendimi i Kosovës që të detyrojë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të kryetarëve të rinj, ai që nxiti përshkallëzimin e tensioneve.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacionet alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura të Serbisë dhe t’u kërkojnë serbëve të Kosovës të ndalin sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, shprehet ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier. Si pasojë e dhunës nga huliganët serbë, 30 ushtarë të KFOR-it kanë marrë lëndime. Tre prej tyre janë plagosur me armë zjarri.