'Që të mundim Ramën në 2025, duhet gjetur gjuha për t'u bashkuar, jo me 'vulën', po me çdo demokrat'

Belind Këlliçi, ish-kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, e ka vënë theksin tek një analizë e thellë që duhet bërë edhe brenda Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjet e 14 Majit, duke pasur si synim fitoren e zgjedhjeve të përgjithsme në 2025-ën, mposhtjen e Edi Ramës.

Këlliçi e përsëriti tri herë shprehjen “duhet gjetur gjuha”, në përgjigjen që ia dha për synimet e mëtejshme, gazetares Sonila Meço në studion e Task Force në SYRI TV.

“Ne duhet të shohim edhe brenda vetes, patjetër, duke nisur nga unë i pari, - tha Këlliçi. -  Çfarë duhet të bëja unë më shumë, çfarë mund të kisha bërë më mirë, çfarë mund të kisha ndrequr gjatë kësaj fushate, çfarë mesazhi duhet të kisha dhënë më shumë?! A duhet të kisha harxhuar edhe më shumë kohë në terren?! Patjetër, ka njëmijë gjëra që mund t’i kisha bërë më mirë, po padiskutim edhe ekipi i Partisë Demokratike duhet të shohë nga vetja. Ne të gjithë duhet të ulemi për të bërë një analizë të vërtetë me veten tonë.

Ore, a kemi ne qëllim që në 2025 të bëhemi deputetë e të rrimë në opozitë dhe të mbajmë monopolin e opozitës apo ne kemi qëllim që të mundim Edi Ramën e të fitojmë?!

Në kuadër të kësaj të dytës, ne duhet të bëjmë gjithçka, gjithçka, duhet tejkaluar çdo ambicje personale e ego për të bërë të mundur që ne, në 2025-ën... A ka mundësi, zgjedhje të parakohshme?! Duhet gjetur gjuha, duhet gjetur gjuha për t’u bashkuar. Nuk po them me “vulën” - por po them me çdo demokrat që nuk e gjen veten plotësisht te projekti ynë për momentin.”/ar.sh/SYRI.NET