Ambasadori Hovenier për kryetarët e rinj: Mos dilni çdo ditë tek objektet e komunave
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it që janë të akredituar në Kosovë ( SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që kryetarët e rinj në veri, ta kryejnë detyrën e tyre nga ndonjë vend tjetër, pra jo nga objektet komunale. Kështu ka deklaruar pas takimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, për situatën në veri, sipas RTK.
Po ashtu pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ai ka dënuar sulmet e sotme ndaj ushtareve të KKFOR-it, gazetarëve dhe veturave të djegura nga protestuesit serbë.
“Me kryeministrin Kurti bashkë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it diskutuam rreth situatës në veri dhe rëndësisë për zbatimin e plotë të marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi”, tha ambasadori amerikan Jeffrey M. Hovenier.
Ai po ashtu tha se kanë diskutuar për arritjen e mundësive për de eskalim të situatës në veri, hapat që duhet të merren për të zvogëluar tensionet atje.
“Pra kërkuam nga kryeministri që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar arritjen e de eskalimit të situatës. Pra kemi marrëveshje se deeskalimi duhet të ndodhë, por nuk jam i sigurt e se pajtohemi se si duhet të ndodhë ajo”, tha ai.
Ai ka deklaruar se në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që ‘ne mendojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të dalin çdo ditë në këto objekte komunale dhe sugjerojmë që përkohësisht kjo të mos bëhet’.
Ai nuk ka dashur të komentojë rreth qëndrimeve të kryeministrit Kurti, por ka folur vetëm për qëndrimin e SHBA-së.
“Nuk jam në pozicionin që t’u them se çfarë do të ndodhë nesër…unë mund të them se çka shpresojmë të ndodhë nesër, e ajo është që të arrihet de-eskalimi i situatës. Qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata në veri, janë në gjendje të jetojnë e punojnë në kushte normale dhe kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë punët e tyre në kushte normale”, tha ambasadori Jeffrey M. Hovenier, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë me zbatimin e plotë të marrëveshjes në rrugën për normalizimin e raporteve.
Ai ka dënuar sulmet ndaj pronave private, ndaj automjeteve të KFOR-it, policisë dhe mediave.
“Protesta duhet të jetë paqësore, ndërsa sulmet ndaj pronës private dhe kërcënimet nuk janë forma të duhura të reagimeve”, tha ambasadori amerikan Jeffrey M. Hovenier.