Agresioni i qeverisë ndaj PD, Neza: PE nuk dha 'rekomandim', dha alarm për Shqipërinë!
Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë, e cila pasqyron të gjitha problemet e lidhura me zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri, sidomos garantimin e lirive të partive politike për të hyrë në zgjedhje pa ndërhyrje, si në sjelljen flagrante ndaj PD-së, e cila i bie kambanave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që priten në vend, sipas analistit Sami Neza nuk janë thjesht rekomandime, por alarm për Shqipërinë.
“Shoqëria nuk është se reagoi shumë, - tha Neza - dhe me sa duket nuk e kuptoi mirë se çdo të thotë kjo për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri, por fakti që e kanë marrë parlamentarët evropianë të BE dhe e kanë përkthyer në një rekomandim – në fakt është alarm dhe tregon sa e rëndësishme është kjo çështje”.
Në studion e emisionit Task Force në SYRI TV, drejtuesja Sonila Meço e pyeti specifikisht z. Neza se çfarë synon shprehimisht kjo rezolutë.
Sonila Meço: Aty është reflektuar jo vetëm parlamenti, por edhe përpjekja që u bë për të mos lejuar PD-në që të hynte me siglën e saj, për të pasur vulën e saj, për të pasur kohën televizive dhe citoj... Citoj: “Thirrje, autoriteteve shqiptare të adresojnë prioritetin e jashtëzakonshëm të rekomandimeve të zgjedhjeve dhe financimeve të partive shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, lirinë e asociimit, përfshirë në partitë politike si garantimin e lirisë për të dalë në zgjedhje pa ndërhyrje të panevojshme të shtetit ose ndërhyrje të tjera.
Z. Sami, kur e lexon kështu, nuk mbaj mend një rezolutë të ngjashme që të ketë adresuar direkt në kokë problemin. Pra, nuk është e përgjithshme, nuk i vjen rrotull parimeve demokratike.
Sami Neza: E tha edhe kolegu që gjuha është e drejtpërdrejtë, nuk është një gjuhë që synon neutralitetin në tekst. Është një gjuhë që i ka kapur problemet një më një dhe i ka kapur në atë anë që i ka kapur edhe opozita në Shqipëri. Ose mund të them se është një ndër dokumentet e BE-së, e Parlamentit Europian, ndër dokumentet më të kopsitura në problematika në Shqipëri dhe në qasjen ndaj këtyre problematikave, një qasje e drejtpërdrejtë. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme sepse sidomos kur ka pasur debate në Shqipëri në lidhje me hapësirat, ngushtimin e hapësirave të opozitës në parlament, që ka qenë një ndër agresionet më të mëdha të qeverisë ndaj opozitës në këtë vend e pothuajse nuk ka pasur mbështetje nga zërat e tjerë, përveç zërave që o janë afër opozitës, o janë opinionistë o njerëz të rëndësishëm të opozitës që kanë artikuluar.
Shoqëria nuk është se reagoi shumë dhe me sa duket nuk e kuptoi mirë se çdo të thotë kjo për demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri. Fakti që e kanë marrë parlamentarët evropianë të BE dhe e kanë përkthyer në një rekomandim – në fakt ky është “alert”, nuk është rekomandim, është alarm për Shqipërinë dhe tregon sa e rendësishme është kjo çështje.
Çështja tjetër që lidhet me opozitën dhe megjithatë ka qenë shumë e vështirë për t’u absorbuar nga komuniteti vendas në Shqipëri ka qenë edhe ajo e lojës së gjykatave. Shumë nuk e merrnin vesh, nuk e kuptonin se si ku ngatërrohej, se si procedura e gjykatave sulmonte proceset politike, se ku procedura e ngurtë e fut në kurth procesin politik që ndodhet brenda PD, nuk kuptohej mirë.
Kjo tregon se europianët e kanë kuptuar shumë mirë, parlamentarët evropianë e kanë kuptuar shumë mirë dhe i kanë dhënë rëndësinë e duhur duke e parë si një rrezik për pluralizmin në Shqipëri, ai teksti që përmend vazhdimish Rama, sidomos në këto takimet paszgjedhore ku thotë se “ku u cenua pluralizmi në Shqipëri?”.
Pluralizmi në Shqipëri nuk është një gjë që bëhet me inventar, pluralizmi është proces dhe në qoftë se t’i përmend instrumentet e qeverisë, përfshihesh, devijon proceset normale të natyrshme logjike të partive politike apo të politikës në përgjithësi, kjo është lufta me pluralizmin dhe ngecja e pluralizmit politik.”/ar.sh/SYRI.NET